Lajme

Gërvalla: Bllokada e opozitës po na çon drejt zgjedhjeve të reja, tentuan ta shpallin fituesin humbës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Tëvë1, ka folur për zhvillimet rreth zgjedhjeve të reja dhe bashkëpunimin me opozitën.

Gërvalla tha se Qeveria ka bërë çdo përpjekje për të mos e dërguar vendin në zgjedhje për herë të katërt, por sipas saj, opozita nuk ka bashkëpunuar në asnjë fazë të procesit.

“Ne tentuam të bëjmë gjithçka për të mos e dërguar vendin për herë të katërt në zgjedhje. Mirëpo, çfarëdo që bënim, nuk funksiononte me opozitën. Ata nuk reagonin dhe nuk bashkëpunonin,” tha Gërvalla.

Ajo shtoi se opozita ka qenë e fokusuar vetëm në bllokimin e procesit politik.

“Opozita ka treguar se nuk ka pasur asgjë tjetër përveç që ta bllokojë procesin. Në fund të fundit, kjo ka qenë një përpjekje për ta ndryshuar rezultatin e votuesve – 42% – dhe për t’i shpallur ata humbës. Një gjë e tillë nuk funksionon dhe as nuk do të funksionojë,” u shpreh ajo.

Gërvalla theksoi se pavarësisht pengesave, Qeveria ka vepruar në përputhje me ligjet dhe interesin e qytetarëve.