Nemo, këngëtari zviceran që fitoi konkursin e këngës Eurovision 2024, ka thënë se po e kthen trofeun e tij në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e ardhshëm.
26-vjeçari deklaroi se ekziston “një konflikt i qartë” mes idealeve të Eurovision-it për “unitet, përfshirje dhe dinjitet për të gjithë” dhe vendimit për të lejuar Izraelin të konkurrojë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ai shkruan:
“Edhe pse jam jashtëzakonisht mirënjohës për komunitetin rreth këtij konkursi dhe gjithçka që kjo përvojë më ka mësuar si person dhe si artist, sot nuk ndiej më që ky trofe më përket mua.”
Vendimi i tij thellon krizën rreth Eurovision 2026, i cili tashmë po përballet me bojkot nga pesë vende për shkak të luftës së Izraelit në Gaza.
Pasi Unioni Europian i Transmetimeve (EBU), refuzoi ta përjashtonte Izraelin për shkak të mënyrës se si po e udhëheq luftën, Spanja, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia njoftuan se do ta bojkotonin konkursin. Të mërkurën iu bashkua edhe Islanda, pasi bordi i televizionit kombëtar vendosi të mos marrë pjesë.
Në deklaratën e tij, Nemo tha:
“Kjo nuk ka të bëjë me individë apo artistë. Konkursi është përdorur vazhdimisht për të zbutur imazhin e një shteti të akuzuar për shkelje të rënda, ndërkohë që EBU këmbëngul se Eurovision-i është ‘jo politik’. Dhe kur vende të tëra tërhiqen për shkak të këtij kontrasti, bëhet e qartë se diçka nuk shkon. Prandaj kam vendosur të dërgoj trofeun tim në selinë e EBU-së në Gjenevë.”
Televizioni publik izraelit e ka vlerësuar vendimin për të mbajtur Izraelin në garë, duke mohuar çdo ndërhyrje politike. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se Izraeli “meriton të përfaqësohet në çdo skenë në botë”.
Të mërkurën, ambasada izraelite në Norvegji, e cila mbulon edhe marrëdhëniet me Islandën, tha se ishte “e zhgënjyer” nga vendimi i televizionit islandez, duke thënë se ai shkonte “plotësisht kundër frymës së konkursit”.
Me gjashtë muaj të mbetur, 34 vende janë të planifikuara të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm, por disa ende nuk kanë konfirmuar.
Televizioni britanik, i cili zgjedh përfaqësuesin përmes një procesi të brendshëm, ka thënë se mbështet vendimet e marra nga samiti i EBU-së, por nuk ka sqaruar nëse kjo mbështetje nënkupton pjesëmarrje apo jo.
Një zëdhënës i EBU-së tha:
“Jemi të trishtuar që Nemo dëshiron të kthejë trofeun që e fitoi me meritë në vitin 2024. Respektojmë mendimin e tij dhe do të mbetet gjithmonë pjesë e çmuar e familjes së Eurovision-it.”


