Në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ligjvënësve kosovarë u takon të marrin pagë kalimtare për 12 muaj pasi ta kryejnë mandatin, me kusht që nuk kanë të hyra të tjera gjatë kësaj kohe. Një gjë të tillë, pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë e kanë shfrytëzuar 67 deputetë, ani pse të njëjtit sipas shoqërisë civile nuk e kanë kryer asnjë punë gjatë kësaj periudhe. Privilegje të tilla nga monitorues të punës së Kuvendit po konsiderohen si të tepërta, derisa kërkojnë që të njëjtat të largohen dhe ligji të ndryshohet. Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 913 euro.
Në bazë të përgjigjes së Kuvendit të Kosovës për KosovaPress, del në pah se 27 deputetë të koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa kanë aplikuar për pagën kalimtare nga gjithsej 48 deputetë që ka pasur ky koalicion.
Në Partinë Demokratike të Kosovës kanë aplikuar 14 deputetë për pagë kalimtare nga gjithsej 24 deputetë sa ishin në legjislaturën e kaluar.
Kurse 12 ish-deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë aplikuar për pagë kalimtare nga gjithsej 20 sa ka pasur. Në AAK kanë aplikuar katër deputetë për pagë kalimtare nga pesë sosh sa kanë qenë. Ndërkaq në Nisma Socialdemokrate vetëm deputetja Arbëresha Krasniqi ka aplikuar për pagë kalimtare, kurse ish-deputetët Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar në bazë të të dhënave të Kuvendit. Nga komunitetet jo-serbe kanë aplikuar shtatë deputetë, kurse nga radhët e komunitetit serb ka aplikuar për pagë kalimtare vetëm një deputet nga legjislatura e kaluar.
Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill të vitit 2025, ndërkaq konstituimi i Kuvendit ka ndodhur pas gjashtë muajsh më 10 tetor, si pasojë e krizës politike. Pasi LVV-ja si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit dështoi dy herë të formojë qeverinë, Kuvendi u shpërnda më 20 nëntor dhe tashmë janë shpallur zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Nga Lëvizja Vetëvendosje për pagën kalimtare kanë aplikuar këta deputetë të legjislaturës së kaluar: Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, Adriana Matoshi, Arbër Rexhaj, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, Arjeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Artan Abrashi, Adelina Grainca, Avni Dehari, Bajram Mavriqi, Drita Pajaziti, Driton Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli, Fjolla Ujkani, Jeta Statovci, Labinot Demi-Murtezi, Mefail Bajqinovci, Mimoza Kusari-Lila, Nezir Kraki, Salih Zyba, Saranda Bogujevci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Valon Hoti dhe Valon Ramadani.
Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës për pagë kalimtare kanë aplikuar ish-deputetët: Abelard Tahiri, Altin Krasniqi, Arbnore Salihu, Ariana Musliu-Shoshi, Artan Behrami, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Kosovare Murseli, Memli Krasniqi, Nait Hasani, Rashit Qalaj, Rrahman Rama dhe Sala Jashari.
Edhe ish-deputetë të Lidhjes Demokratike kanë aplikuar për pagë kalimtare: Alban Zogaj, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Hysen Çekaj, Jehona Lushaku-Sadriu, Krenar Xhaferi, Lutfi Haziri dhe Paris Guri.
Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këta ish-deputetë kanë aplikuar për pagën kalimtare: Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj dhe Daut Haradinaj, ndërsa nuk ka aplikuar ish-deputeti, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kurse te Nisma Socialdemokrate ka aplikuar vetëm ish-deputetja Arbëresha Krasniqi, kurse Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar.
Për pagën kalimtare kanë aplikuar edhe deputetët nga komunitetet jo-serbe, të cilët janë: Adem Hoxha, Albert Kinolli, Artan Asllani, Duda Balje, Fidan Jilta, Rasim Demiri dhe Veton Berisha. Kurse nga komuniteti serb ka aplikuar vetëm ish-deputeti Branislav Nikoliq.
E këto privilegje të deputetëve, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, thotë se janë të rregulluara me ligj, mirëpo sipas tij paga kalimtare duhet t’i jepet me meritë një deputeti e jo siç ka ndodhur në legjislaturën e kaluar kur të njëjtit refuzojnë të konstituojnë Kuvendin.
Sipas tij, deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë merituar as pagën bazë e aq më pak pagën kalimtare për 12 muaj.
Deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë merituar as pagën bazë, thotë Kolshi
“Këto secila prej tyre janë rregullime ligjore të cilat kur janë hartuar ligjet si të tilla nuk është menduar që deputetët do të refuzojnë të vetëkonstituohen. Po ashtu edhe partia më e madhe refuzon apo bën përpjekje për të mos formuar qeverinë. Një gjë e tillë nuk është menduar nga hartuesit e ligjit dhe problemet e tilla… Paga kalimtare kur të jepet t’i jepet një deputeti me meritë dhe jo një deputeti siç ka ndodhur në legjislaturën e nëntë kur nuk ka merituar as pagën bazë që e merr përveç pagës kalimtare. Paga që e merr nga buxheti i Kosovës duhet të shpërblehet me punë dhe ndershmëri”, thekson ai.
Përkitazi me këtë, Kolshi thotë se duke parë zhvillimet në legjislaturën e kaluar, ligji duhet të rishikohet dhe t’i përshtatet edhe rrethanave të tilla ku Kuvendi për 1 vit mund të mos jetë funksional.
Duhet të rishikohet ligji për pagën kalimtare të deputetëve, tha Kolshi
“Duke parë këto zhvillime që kanë ndodhur në legjislaturën e nëntë, nuk besoj se ka ndonjë arsyetim logjik që të arsyetohet paga kalimtare dhe t’iu jepet deputetëve të kësaj legjislature, duke pasur parasysh mospunën e tyre. Një gjë e tillë patjetër që duhet të rishikohet dhe vlerësohet e mandej të hartohet një ligj apo disa ndryshime ligjore që do të jenë përkitazi me të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe jo mospunën e tij”, deklaron Kolshi.
Pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit.


