Partitë politike tashmë kanë publikuar listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, të cilat janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Publikimi i këtyre listave shpesh konsiderohet si një pasqyrë e ambicieve elektorale, por edhe e gjendjes së brendshme të partive.
Në një prononcim për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, ka vënë në dukje se rikthimi i figurave që kanë qenë joaktive për vite të tëra.
“Publikimi i listave zgjedhore është gjithmonë një moment që tregon jo vetëm ambiciet elektorale të partive, por edhe gjendjen reale të tyre te brendshme. Rikthimi i figurave që kanë qenë joaktive për vite me radhë nuk është domosdoshmërisht problem në vetvete, por bëhet domethënës kur shfaqet si model i përsëritur dhe jo si përjashtim”, ka thënë ai
Sipas Vocës, kjo strategji shpesh shfrytëzohet për të mobilizuar vota përmes emrave të njohur dhe nostalgjisë politike.
“Në një lexim të parë, ky rikthim synon të mobilizojë vota përmes emrave të njohur, nostalgjisë politike apo rrjeteve të vjetra elektorale. Kjo është një taktikë klasike në sisteme ku partitë ende mbështeten më shumë ne figura sesa në programe. Por në një lexim më të thellë, kjo prirje mund të sinjalizojë edhe mungesë të ripërtëritjes së brendshme dhe vështirësi për të prodhuar kuadro të reja me profil publik dhe besueshmëri politike”, ka nënvizuar Voca.
Tutje, ai ka paralajmëruar se rikthimi i figurave të vjetra mund të tregojë parti që nuk ka përfunduar tranzicionin e saj të brendshëm:
“Në disa raste, rikthimi i figurave të vjetra është shenjë e një partie që nuk ka përfunduar tranzicionin e saj të brendshëm dhe vazhdon të qarkullojë të njëjtat emra në mungesë të një kulture meritokratike dhe të një procesi serioz të ndërtimit të elitave të reja. Kjo e kufizon hapësirën për brezin e ri dhe e mban politikën të lidhur me të kaluarën, në vend që ta projektojë atë drejt së ardhmes.
“Megjithatë, gjithçka varet nga arsyeja e rikthimit. Nëse ai bazohet në përvojë reale dhe vizion të rifreskuar, mund të jetë kontribut. Por nëse është thjesht një instrument elektoral për të mbushur lista dhe për të ruajtur balanca të brendshme partiake, atëherë kemi të bëjmë me simptomë të stagnimit politik, jo me ringjallje të vërtetë demokratike”, ka përfunduar Voca


