Shëndetësi

Antibiotikët e rinj, ‘pikë kthese’ në trajtimin e gonorresë, rezistente ndaj ilaçeve

Trajtimet e para të reja për sëmundjet seksualisht të transmetueshme në dekada miratohen nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, ndërsa numri i rasteve në të gjithë botën rritet në 82 milionë

Trajtimet e para të reja për gonorrenë në dekada mund të jenë një “pikë kthese e madhe” në përpjekjet për të luftuar rritjen e super-baktereve, thanë studiuesit.

Gonorrea është në rritje në të gjithë botën, me më shumë se 82 milionë infeksione globalisht çdo vit dhe norma veçanërisht të larta në Afrikë dhe vendet në rajonin e Paqësorit Perëndimor, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me një shtrirje nga Mongolia dhe Kina deri në Zelandën e Re. Rastet në Angli janë në një nivel rekord dhe normat në Evropë ishin tre herë më të larta në vitin 2023 sesa në vitin 2014.

Zyrtarët e shëndetësisë janë të shqetësuar për një rritje të llojeve rezistente ndaj ilaçeve të bakterit, me OBSH-në që e përcakton atë si një “patogjen prioritar”. Një program mbikëqyrjeje i OBSH-së, zbuloi se rezistenca ndaj antibiotikëve kryesorë të përdorur për të trajtuar gonorrenë, ceftriaksonit dhe cefiksimës, ishte rritur ndjeshëm nga 0.8% në 5% dhe nga 1.7% në 11% përkatësisht midis viteve 2022 dhe 2024.

Zoliflodacina është një nga dy trajtimet e reja për infeksionin seksualisht të transmetueshëm, që mori miratimin rregullator javën e kaluar.

Dr. Tereza Kasaeva, drejtoreshë e departamentit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme në OBSH, tha: “Miratimi i trajtimeve të reja për gonorrenë është një zhvillim i rëndësishëm dhe në kohën e duhur në kontekstin e rritjes së incidencës globale, rritjes së rezistencës antimikrobike dhe opsioneve shumë të kufizuara terapeutike, që janë aktualisht në dispozicion.”

Zoliflodacina, e njohur edhe me emrin e markës Nuzolvence, u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave më 12 dhjetor për përdorim kundër gonorresë, e cila mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë infertilitetin. Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi i synuar kundër infeksionit, do të ngadalësojë zhvillimin e rezistencës.

Gepotidacina, një antibiotik i zhvilluar nga kompania farmaceutike GSK që përdoret gjithashtu për të trajtuar infeksionet e traktit urinar, u miratua gjithashtu më 11 dhjetor, pasi në provat klinike u tregua se funksionon kundër llojeve rezistente ndaj ilaçeve të gonorresë.

Zoliflodacina doli nga një qasje e re jofitimprurëse për zhvillimin e antibiotikëve, në të cilën organizata jofitimprurëse Global Antibiotic Research & Development Partnership (GARDP) bashkëpunoi me kompaninë farmaceutike Innoviva.

Dr. Manica Balasegaram, drejtoreshë ekzekutive e GARDP, tha: “Ky miratim shënon një pikë kthese të madhe në trajtimin e gonorresë rezistente ndaj shumë ilaçeve, e cila deri më tani ka tejkaluar zhvillimin e antibiotikëve.”

Në rezultatet e publikuara në Lancet javën e kaluar, zoliflodacina shëroi më shumë se 90% të infeksioneve të gonorresë gjenitale, duke e vendosur atë në një pozitë të barabartë me trajtimin standard aktual, i cili kombinon dy antibiotikë: një injeksion ceftriaksoni të ndjekur nga një dozë orale azitromicine. Nuk u raportuan probleme serioze sigurie.

Në provën e ilaçit, i cili është pjesë e një klase të re antibiotikësh të quajtur spiropyrimidinetriones, morën pjesë 930 pjesëmarrës nga Belgjika, Holanda, Afrika e Jugut, Tailanda dhe SHBA-ja.

Sipas kushteve të partneritetit të saj, GARDP ka të drejtë ta regjistrojë dhe komercializojë atë në të gjitha vendet me të ardhura të ulëta, shumicën e vendeve me të ardhura të mesme dhe disa vende me të ardhura të larta.

Dr. Rossaphorn Kittiyaowamarn, studiuesi kryesor i provës në Tajlandë, tha: “Si klinicistë, ne shohim ndikimin shkatërrues që gonorrea rezistente ndaj ilaçeve, mund të ketë në jetën e njerëzve në Tajlandë.”

Një trajtim oral me një dozë të vetme si ky, do të jetë një ndryshim rrënjësor në kontrollin e gonorresë. Kjo është thelbësore për të zvogëluar barrën e sëmundjes për individët dhe për të parandaluar përhapjen e gonorresë me rezistencë të lartë ndaj ilaçeve në nivel global./ The Guardian.