Legjenda urbane se njerëzit gëlltisin merimanga gjatë gjumit, madje deri në tetë në vit, është po aq e frikshme sa edhe e pabazë. Ashtu si mitet për rërën thithëse apo piranjat mishngrënëse, kjo histori ka qarkulluar prej vitesh dhe ka ushqyer frikën e shumë njerëzve. Por a ka ndonjë bazë shkencore?
Tre ekspertë të merimangave e hedhin poshtë kategorikisht këtë pretendim. William Heyborne, profesor biologjie në Universitetin e Utahut Jugor, thotë se, edhe pse teorikisht mund të ketë ndodhur ndonjë rast i izoluar, kjo nuk ndodh rregullisht. Sipas tij, është një mit i vjetër me origjinë të panjohur.
Edhe Michelle Tremblay nga Universiteti Georgia Southern thekson se nuk ka asnjë provë që njerëzit hanë merimanga në gjumë. Variacione të mitit flasin për tetë merimanga në vit ose edhe 1 kg merimanga gjatë jetës, por këto janë thjesht trillime. Ajo mendon se miti mbijeton sepse është i çuditshëm, krijon imazhe të forta dhe prek frikën e zakonshme ndaj merimangave.
Entomologia Joyce Fassbender nga Universiteti Florida Gulf Coast e quan këtë legjendë shembull tipik të përhapjes së keqinformimit. Të tre ekspertët bien dakord: nëse gëlltitja e merimangave do të ishte e zakonshme, do të kishte raste të dokumentuara ose të paktën njerëz që do të vërenin pickime në gojë. Por kjo thjesht nuk ndodh.
Sjellja e merimangave e përgënjeshtron më tej mitin. Ato shmangin njerëzit dhe preferojnë vende të qeta, të errëta e ku nuk shqetësohen. Njerëzit, edhe kur flenë, janë të zhurmshëm, të ngrohtë dhe lëvizin shpesh, kushte krejt të papërshtatshme për një merimangë. Një gojë e hapur, me ajër në lëvizje dhe lagështi, është jo mikpritëse.
Për më tepër, njerëzit do ta ndienin një merimangë në fytyrë dhe do ta largonin instinktivisht. Edhe merimangat kanë instinkt vetëmbrojtës dhe janë shumë të ndjeshme ndaj dridhjeve, ndaj do të qëndronin larg një “kërcënimi” të tillë.
Në fund, kjo histori mbetet thjesht një thashethem i frikshëm, por pa asnjë bazë reale. Merimangat nuk duan të kenë punë me ne, as me fytyrat tona. / DiscoverMagazine – Syri.net


