Angelina Jolie ka treguar për herë të parë shenjat e mastektomisë.
Në një intervistë me Time France, 50-vjeçarja ka ndarë arsyen pse po ia tregon tani botës rezultatin e mastektomisë së dyfishtë, më shumë se një dekadë pas ndërhyrjes parandaluese që kreu në 2013.
“I ndaj këto shenja me gratë që dua. Dhe prekem gjithnjë kur shoh gra të tjera që tregojnë të tyret”, tha aktorja.
Nëna e saj, Marcheline Bertrand, ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare pasi u diagnostikua me kancer. Në një artikull të vitit 2013 në Neë York Times, Jolie tha se mjekët kishin zbuluar në analizat e saj gjenin BRCA1, i cili e ekspozonte ndaj rrezikut të kancerit në gji. Nëntë javë pas ndërhyrjes, ajo kreu rindërtimin e gjoksit.
“Doja ta shkruaja këtë për t’u thënë grave të tjera se vendimi për të bërë mastektominë nuk është i lehtë”, tha ajo asokohe. Në mars 2015, Jolie zbuloi se kishte hequr vezoret dhe tubat falopianë si masë parandaluese ndaj kancerit të vezores.
Në Time, ajo thotë se analizat për BRCA duhet të jenë të aksesueshme për çdo grua.
“Çdo grua duhet të jetë e aftë të vendosë për shëndetin e saj dhe të ketë informacionin që i nevojitet për të bërë zgjedhje të vetëdijshme: analizat e përgjithshme duhet të jenë të prekshme dhe të përballueshme për gratë me faktorë risku ose histori familjare.”
“Kur unë fola për përvojën time në 2013, ishte për të nxitur zgjedhjet e vetëdijshme”, vijon ajo. “Vendimet për shëndetin duhet të jenë personale dhe gratë duhet të kenë informacionin dhe mbështetjen që u nevojitet për të bërë këto zgjedhje. Analizat dhe kujdesi nuk duhet të varen nga burimet financiare apo ku jeton dikush.”
Jolie është protagonistja e filmit “Couture” që do të dalë në Francë në shkurt 2026. Në këtë histori, ajo luan një regjisore amerikane që diagnostikohet me kancer në gji. Sipas saj, shumë herë, filmat që lidhen me betejat e grave flasin për fundin dhe trishtimin, rrallë për jetën, por ajo e sheh ndryshe këtë projekt.
“Nëna ime ishte e sëmurë për vite. Një mbrëmje, kur po e pyesnin për kimioterapinë, ajo u prek shumë dhe më tha se parapëlqente që të fliste për diçka tjetër, ajo ndjeu sikur sëmundja po kthehej në identitetin e saj.”
Intervista e plotë e Jolie, bashkë me fotot, do të dalë më 18 dhjetor.


