Tracy Reiner ka reaguar publikisht pas ndarjes nga jeta të babait të saj, Rob Reiner, dhe bashkëshortes së tij, Michele Singer Reiner.
“Isha pjesë e familjes më të mrekullueshme që mund të ekzistonte,” u shpreh Tracy, 61 vjeçe, për NBC News. “Nuk di çfarë të them. Jam ende në shok”, tha ajo.
Rob Reiner u bë baba i Tracy-t përmes adoptimit gjatë martesës së tij me aktoren e ndjerë Penny Marshall.
Pas marrjes në pyetje nga Divizioni i Grabitjeve dhe Vrasjeve i Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit lidhur me vdekjen e prindërve të tij, Nick Reiner, 32 vjeç, ndodhet tashmë në paraburgim.
Burime të shumta, të cilat kanë folur me anëtarë të familjes, kanë thënë për revistën “PEOPLE” se Nick dyshohet se ka vrarë Rob dhe Michele në shtëpinë e tyre në Los Anxhelos. Sipas burimeve, trupat e pajetë të çiftit u gjetën nga vajza e tyre, Romy, të dielën, më 14 dhjetor.
Rob dhe Michele u martuan në vitin 1989 dhe kishin tre fëmijë: Jake, Nick dhe Romy. Nick ka folur hapur ndër vite për betejat e tij me varësinë, të cilat nisën që në adoleshencë dhe e çuan përfundimisht drejt përjetimit të pastrehësisë.
Rreth orës 15:30 të së dielës, më 14 dhjetor, Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit u thirr në një banesë për të ofruar ndihmë mjekësore, konfirmoi LAFD për PEOPLE. Me mbërritjen në vendngjarje, u gjetën të pajetë një burrë dhe një grua.
Rob dhe Michele ishin njohur gjatë kohës kur Rob ishte regjisor i filmit legjendar When Harry Met Sally, një nga veprat e tij më ikonike, ku përfshihen gjithashtu The Princess Bride (1987), Misery (1990) dhe A Few Good Men (1992).
“Me një dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi të shkatërruar nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë,” thuhet në deklaratën e familjes së Rob dhe Michele për Variety.


