Komuna e Mitrovicës së Veriut në sallën e sporteve ka tentuar sot pasdite të vendos karriget që simbolizojnë flamurin e Serbisë, megjithatë, pas reagimit të Policisë së Kosovës, në këtë sallë janë rikthyer karriget me ngjyrat që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës.
KosovaPress më herët raportoi se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në palestrën sportive në Mitrovicën e Veriut, duke ndaluar zyrtarët komunalë që të largojnë karriget me ngjyra që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës dhe t’i zëvendësojnë ato me karrige që simbolizojnë flamurin e Serbisë.
Zëvendësdrejtori i drejtorisë rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në sallën e sporteve në Mitrovicën e Veriut pas informatave për zhvillimin e punimeve brenda objektit.
“Sot në orët e pasdites policia ka pranuar informacion se po zhvillohen punime në sallën e sporteve në Mitrovicën e Veriut. Ne kemi shkuar aty për t’u njoftuar me situatën dhe çdo gjë është sqaruar dhe nuk ka ndonjë problem për me theksua|, ka thënë Elshani për KosovaPress.
KosovaPress ka siguruar fotografi nga brenda palestrës sportive, ku shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës të pranishëm në ambientet e objektit. Sipas fotografive që janë siguruar brenda sallës së sportit është parë edhe Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe.
Megjithatë, në orët e vona në këtë sallë janë rikthyer karriget me ngjyrat që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës.


