Derisa sot pritej shpallja e aktgjykimit ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, i akuzuar për rastin “Gylenistët”, në seancën e sotme gjyqësore ndaj Gashit trupi gjykues vendosi rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.
Prezent në seancë ishin prokurorja Habibe Salihu-Shamolli dhe mbrojtësi i Gashit, avokati Florent Latifaj, por mungoi i akuzuari, Driton Gashi.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, deklaroi se me qëllim të grumbullimit të provave dhe fakteve të tjera trupi gjykues ka marr aktvendim për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.
Duke shtuar se seanca e ardhshme do të caktohet pasi të sigurohen provat materiale, Namani theksoi se kjo po bëhet për verifikimin e plotë dhe të drejtë të çështjes penale.
Hapet shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale, theksoi Namani
“Trupi gjyqësor, pas këshillimit dhe votimit, dhe më pas përfundimit, konform nenit, merr aktvendim. Hapet shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale me qëllim të grumbullimit të provave dhe fakteve të tjera. Krejt kjo bëhet me qëllim të verifikimit të plotë dhe të drejtë të çështjes penale. Seanca e ardhshme do të caktohet në momentin kur të bëhet sigurimi i provave materiale”, tha Namani.
Në këtë rast gjyqësor, në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Driton Gashi akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, duke shkelur procedurat ligjore.
Më 19 korrik 2023, Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me katër vite e tetë muaj burgim, ndërsa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani i kishte liruar nga akuza.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm sa i përket pikës i të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, duke vërtetuar njëkohësisht lirimin nga akuza për dy të akuzuarit e tjerë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.


