Dekorimi i pemës së Krishtlindjes është një nga momentet më të bukura të festave. Topa me ngjyra, drita vezulluese dhe shiritë që mbështillen me kujdes, por sa janë “mjaftueshëm” dhe kur dekorimi kthehet në tepri? Sipas shkencëtarëve, sekreti i një peme perfekte nuk fshihet vetëm te shija personale, por edhe te… matematika.
Studiues nga Universiteti i Sheffield-it kanë krijuar një formulë të thjeshtë matematikore që ndihmon të dekoroni pemën në mënyrë të balancuar, duke ruajtur harmoninë mes zbukurimeve, dritave dhe formës së saj.
Nëse njihni lartësinë e pemës, matematika bën pjesën tjetër. Formula sugjeron rreth 6 topa dekorativë për çdo 30 centimetra lartësi, ndërsa zbukurimi i majës yll apo engjëll, duhet të jetë rreth një e dhjeta e lartësisë totale së pemës.
Për shembull, një pemë 1 metër e lartë ka nevojë për rreth 21 topa dhe një zbukurim në majë prej 10 centimetrash. Thjeshtë, elegante dhe pa mbingarkesë.
Edhe për dritat matematika ka sugjerime, por pa kufizuar stilin personal. Për një pemë rreth 1.80 metra të lartë, rekomandohen afërsisht 5.7 metra drita festive.
Ekspertët theksojnë se një pemë e bukur nuk ka nevojë për qindra zbukurime. Ajo që bën diferencën është proporcioni. Kur topat, dritat janë në harmoni, pema duket elegante, e ngrohtë dhe festive pa stres dhe pa tepri.
Këtë Krishtlindje, nëse po pyesni veten pse pema juaj nuk duket “si në Instagram”, ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë nga sa mendoni: pak matematikë dhe shumë ndjenjë festive


