Lajme

Prokuroria dhe Policia në aksion: Kontrolle në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar një  aksion në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks.

Ky aksion  sipas njoftimit po realizohet në zbatim të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, për kontrollin e 15 lokacioneve – bizneseve që të gjitha në Prishtinë dhe sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim,  Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare  nga neni 414 të KPRK-së, Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësorë nga neni 256 të KPRK-së,  dhe Tregti e ndaluar  nga neni 299 të KPRK-së, kjo për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal Botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.

“Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal”, thuhet në njoftim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve.