Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të zgjerojë më tej ndalimin e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe pesë vende të tjera në listën e shteteve, qytetarët e të cilave nuk lejohen të hyjnë në SHBA. Paralelisht, janë vendosur kufizime të reja edhe për disa vende të tjera, u bë e ditur sot.
Vendimi është pjesë e një ashpërsimi më të gjerë të politikave të udhëtimit dhe imigracionit dhe vjen pas arrestimit të një shtetasi afgan, i dyshuar për qëllimin me armë të dy anëtarëve të Gardës Kombëtare gjatë fundjavës së Falënderimeve, raporton NBC.
Sipas masave të reja, ndalimi i plotë i hyrjes në SHBA shtrihet tashmë edhe për Burkina Fason, Malin, Nigerin, Sudanin e Jugut dhe Sirinë.
Gjithashtu, administrata ka vendosur një ndalim të përgjithshëm udhëtimi për personat që posedojnë dokumente udhëtimi të lëshuara nga Autoriteti Palestinez.
Ndërkohë, 15 vende të tjera do t’i nënshtrohen kufizimeve të pjesshme të udhëtimit. Në këtë listë përfshihen: Angola, Antigua dhe Barbuda, Benini, Bregu i Fildishtë, Dominika, Gaboni, Gambia, Malavi, Mauritania, Nigeria, Senegali, Tanzania, Tonga, Zambia dhe Zimbabve.
Në muajin qershor, Trump kishte shpallur ndalimin e hyrjes për qytetarët e 12 vendeve dhe kufizime të pjesshme për shtatë të tjera, duke rikthyer politikën e ndjekur edhe gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Në atë kohë, ndalimi i plotë zbatohej për Afganistanin, Mianmarin, Çadin, Republikën e Kongos, Guinenë Ekuatoriale, Eritrenë, Haitin, Iranin, Libinë, Somalinë, Sudanin dhe Jemenin, ndërsa masa më të ashpra kufizuese u vendosën për Burundin, Kubën, Laosin, Sierra Leonen, Togon, Turkmenistanin dhe Venezuelën.
/tiranapost


