Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Prokuroria thekson se i pandehuri akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile, si dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
“I pandehuri R.M., në bashkëkryerje me forcat policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime të dhunshme dhe shkatërrim të pronës së popullsisë civile shqiptare”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Aktualisht, R.M. ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës.
“Rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, njofton Prokuroria Speciale.
Prokuroria Speciale thekson se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.


