Shëndetësi

Helmoi 30 pacientë dhe shkaktoi vdekjen e 12 prej tyre, anestezisti francez dënohet me burgim të përjetshëm

Një gjykatë në lindje të Francës dënoi të enjten me burgim të përjetshëm një ish-anesteziolog, pasi u shpall fajtor për helmimin e 30 pacientëve, nga të cilët 12 humbën jetën.

Vendimi ndaj 53-vjeçarit Frédéric Péchier u dha pas 15 javësh seancash gjyqësore intensive, ndërsa trupa gjykuese kishte nisur diskutimet për dënimin që prej së hënës.

Procesi i vendimmarrjes zgjati tre ditë, pasi gjykata duhej të shqyrtonte veçmas secilin nga 30 rastet e helmimit: 12 me pasojë vdekjen dhe 18 të tjerë ku pacientët mbijetuan.

Ngjarjet kanë ndodhur mes viteve 2008 dhe 2017 në dy klinika private në qytetin Besançon, ku viktimat ishin pacientë të moshave nga 4 deri në 89 vjeç.

Sipas prokurorisë, Péchier kishte kontaminuar qeset e infuzionit me substanca si kalium, anestetikë lokalë, adrenalinë dhe heparinë, duke shkaktuar arrest kardiak ose hemorragji te pacientët që trajtoheshin nga kolegët e tij.

Megjithëse gjatë hetimeve të nisura në vitin 2017 ai e mohoi vazhdimisht këtë version, në fillim të gjyqit Péchier pranoi se një helmues kishte vepruar në njërën prej klinikave ku punonte, por këmbënguli se nuk ishte ai përgjegjësi.

Gjatë marrjes në pyetje, ai shfaqi pak emocione, por u thye emocionalisht më 5 dhjetor, kur foli për tentativën e tij për vetëvrasje në vitin 2021.

“Kështu është Frédéric Péchier: një njeri që gjithmonë ka dashur të jetë në kontroll dhe nuk shpreh lehtë emocionet e tij”, deklaroi avokati mbrojtës, Randall Schwerdorffer.

Sipas tij, anestezisti e kishte nënvlerësuar rëndesën e procesit gjyqësor dhe ishte i bindur se juria do të bindej shpejt për pafajësinë e tij.

Avokati konfirmoi gjithashtu se do të apelojë vendimin, duke theksuar se mbetet i bindur në pafajësinë e klientit të tij.

/tiranapost