Shkencëtarët më në fund u kanë dhënë njerëzve dritën jeshile për të ngrënë më shumë – ata që e duan djathin me yndyrë të plotë dhe hanë disa feta në ditë mund ta ndihmojnë trurin e tyre t’i rezistojë përkeqësimit që lidhet me moshën.
E njëjta gjë vlen edhe për ata që kanë dëshirë për ëmbëlsira dhe shijojnë herë pas here kremin e rrahur me një copë byrek ose një grusht luleshtrydhe, sipas nutricionistëve nga Universiteti Suedez i Lundit.
Studiuesit zbuluan se njerëzit që konsumonin të paktën 50 gramë djathë të pagatuar dhe me shumë yndyrë në ditë duket se e ulnin rrezikun e zhvillimit të demencës me 13 përqind, ndërsa konsumimi i 20 gramëve ose më shumë krem në ditë shoqërohej me një rrezik të reduktuar prej 16 përqind.
Sipas ekipit të Lundit, versionet me pak yndyrë nuk kanë një efekt të tillë në fillimin e demencës dhe “nuk u gjet asnjë lidhje” me produkte të tjera të qumështit si qumështi, gjalpi ose kosi.
“Ka pasur një debat për dekada të tëra rreth dietave që përfshijnë yndyrë të plotë kundrejt atyre me yndyrë të reduktuar, me djathin që ndonjëherë klasifikohet si një ushqim i pashëndetshëm që duhet kufizuar”, tha Emily Sonnestedt, puna e së cilës me ekipin u botua në dhjetor nga Akademia Amerikane e Neurologjisë.
Djathërat me yndyrë të plotë janë ato që përmbajnë të paktën 20 përqind yndyrë, ndërsa në rastin e salcës së thartë, çdo version nën 30 përqind konsiderohet një produkt me pak yndyrë.
Ekipi analizoi të dhënat shëndetësore që përfshinin një çerek shekulli për gati 28,000 suedezë, nga të cilët 3,208 zhvilluan demencë gjatë asaj kohe. Pjesëmarrësit regjistruan se çfarë hëngrën dhe si i përgatitën vaktet, dhe këto të dhëna iu dorëzuan më pas shkencëtarëve.
“Studimi ynë tregoi se disa produkte qumështi me shumë yndyrë mund ta zvogëlojnë rrezikun e demencës, duke sfiduar disa supozime të mbajtura prej kohësh në lidhje me yndyrën dhe shëndetin e trurit”, shtoi Sonnested, duke bërë thirrje për më shumë kërkime mbi këtë temë, veçanërisht në vende si SHBA-ja, ku djathi shpesh hahet i shkrirë dhe i kombinuar me mish.
Megjithatë, ekipi theksoi se përfitimet e vëzhguara nuk vlejnë për njerëzit që mbajnë variantin e gjenit APOE e4, i cili është identifikuar si një “faktor rreziku gjenetik për sëmundjen e Alzheimerit “.


