BBV

Krishtlindje me mot të keq në Itali. Evakuohen banorët në disa zona

Italia u godit nga moti i keq në ditën e Krishtlindjes, duke detyruar autoritetet të shpallin alarm të kuq për rrezik përmbytjesh, pas reshjeve të dendura që rritën ndjeshëm prurjet e ujërave. Përrenjtë kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur toka bujqësore dhe duke shkaktuar frikë e pasiguri te banorët pikërisht në ditën e festës.

Evakuimet kanë nisur në Castel Bolognese, Cotignola, Bagnacavallo, si edhe në zona të tjera të rrezikuara. Mbrojtja Civile, e vendosur në gatishmëri maksimale për shkak të alarmit të kuq, ka hapur qendra emergjence për strehimin e familjeve të larguara nga banesat e tyre. Në shumë bashki janë urdhëruar evakuime të plota për banorët që jetojnë pranë lumenjve dhe përrenjve.

Disa lumenj kanë kaluar tashmë pragun kritik të alarmit, por deri në këto momente nuk raportohet për përmbytje të mëdha. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e ndërhyrjeve të kontrolluara në argjinatura, për të lehtësuar rrjedhën e ujit drejt zonave rurale të hapura.

Ndërkohë, gjatë orëve të fundit janë regjistruar erëra të forta deri në 100 km/orë përgjatë vijës bregdetare mes Monfalcone, Triestes dhe zonave përreth. Reshje bore janë raportuar në Ligurinë Perëndimore dhe në Apeninet Toskanë, ndërsa në Trieste po fryn një stuhi e fortë bore. Në Lombardi, një rrëshqitje dheu ka prekur zonën e Valdidentros në Valtellinën e Sipërme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe kufizim të lëvizjeve në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut.

/tiranapost