Pamje spektakolare janë regjistruar në Siçili nga skiatorë që ndodheshin në zonë, në momentin e shpërthimit të vullkanit Etna më 27 dhjetor. Re të mëdha tymi dhe hiri u ngritën drejt qiellit, duke krijuar skena mbresëlënëse që u përhapën me shpejtësi në rrjete sociale.
Pas aktivitetit vullkanik, shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë shpallën nivelin e kuq të alarmit për aviacionin, që përfaqëson shkallën më të lartë të rrezikut. Megjithatë, autoritetet bënë të ditur se fluturimet në aeroportin e afërt do të vijojnë normalisht, për sa kohë që rënia e hirit nuk intensifikohet.
Etna, vullkani më i madh dhe më i lartë në Europë, njihet si një nga më aktivët në botë, me shpërthime që përsëriten disa herë gjatë vitit. Në pamjet e filmuara shihet momenti kur re të dendura hiri vullkanik mbulojnë malin, duke krijuar një atmosferë që të kujton skenat dramatike të filmave të Hollivudit.
/tiranapost


