Shkencë & Teknologji

Djathi belg shpallet më i miri në botë në konkursin prestigjioz në Francë, francezët aspak të lumtur

Një prodhues belg i djathit ka arritur një sukses historik, duke fituar çmimin për djathin më të mirë në botë në një konkurs prestigjioz që u mbajt në Francë.

Qumështorja Dairy Groendal nga Rumbeke, në Flandër, u shpall fituese me djathin e saj Gouda “Ancienne Belgique” në konkursin vjetor Concours International de Lyon. Ky është rasti i parë pas pesë vitesh që çmimi kryesor i shkon një djathi jo-francez.

Në një reagim në Instagram, përfaqësuesit e Dairy Groendal u shprehën “jashtëzakonisht krenarë” për këtë arritje. “Është një nder i madh që një djathë belg të shpallet më i miri në botë, në konkursin më të madh të djathit në Francë – vendin e djathit par excellence”, thuhet në deklaratë, sipas The Brussels Times.

Në konkurs morën pjesë mbi 2,000 djathëra nga 23 vende, të vlerësuar nga 630 gjyqtarë sipas pesë kritereve: shija, pamja, tekstura, ekuilibri dhe aroma. Djathi Gouda Ancienne Belgique arriti rezultatin maksimal, duke marrë 100 pikë nga 100 të mundshme.

Menaxheri i qumështores, Louis-Philippe Dever, i tha televizionit belg VRT se fillimisht ekipi kishte dyshime për rezultatin. “Kur pamë certifikatat që thoshin se kishim fituar medalje ari me tre djathëra, njëra prej tyre shkruante edhe ‘Djathi më i mirë në botë’. Nuk ishim të sigurt nëse ishte më i miri në përgjithësi apo vetëm më i miri belg. Vetëm pasi kontaktuam organizatorët, u konfirmua se ishte vërtet djathi më i mirë në botë”, tregoi ai.

Fitorja belge nuk u prit mirë në Holandë. Gazeta De Telegraaf e përshkroi rezultatin si “të dhimbshëm”, duke theksuar se flamandët po i tejkalojnë holandezët edhe në produktin që konsiderohet simbol kombëtar: gouda-n.

Edhe pse emri Gouda vjen nga qyteti holandez me të njëjtin emër dhe “Gouda Holland” është një produkt i mbrojtur në BE, termi “gouda” përdoret gjerësisht për djathëra të prodhuar sipas stilit holandez.

Në Dairy Groendal, synimi është prodhimi i “djathërave të fortë që shkrihen në gojë”. Sipas Dever, suksesi qëndron në kombinimin e traditave: “Një djathë i fortë holandez i ndërthurur me shijen pikante të një djathi të butë francez – ky kombinim rezultoi fitues”.