Lajme

🔥 Kush është “Kolona e pestë” që po e rrezikon LDK-në që pas vdekjes së Rugovës, flet Saim Tahiraj

Veprimtari Saim Tahiraj hedh kritika të ashpra ndaj zhvillimeve pas vdekjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, duke akuzuar se brenda LDK-së u infiltruan figura që, të maskuara me Rugovizëm, vepruan si “Kolonë e Pestë” për dobësimin dhe përçarjen e partisë. Sipas tij, këto veprime janë pjesë e një strategjie të vjetër komuniste, e cila vazhdon të funksionojë edhe sot nën petkun e demokracisë, jo vetëm në LDK, por në gjithë skenën politike shqiptare.

Ai thekson se pas Rugovës, në LDK u shfaqën figura që të maskuara me Rugovizëm vepruan si “kolonë e pestë”, duke zbatuar strategji të vjetra komuniste të infiltruara në partitë shqiptare, të cilat sipas tij vazhdojnë të funksionojnë edhe sot nën petkun e demokracisë.

“Zhvillimet pas Rugoviane në LDK nxorën në sipërfaqe shumë figura falsifikatorësh që, të maskuar nën maskën e Rugovizmit, luajtën rolin e kolonës së pestë brenda LDK-së. Strategjia e ish-partive komuniste që buron nga qarkorja e famshme që përpiloi dhe e shpërndau Gorbaçovi në të gjitha partitë komuniste funksionoi dhe po vazhdon të funksionojë edhe sot e gjithë ditën. Veçanërisht, perfekt po funksionon në tërë hapësirën shqiptare. Agjentë të regjur të komunizmit formuan dhe u shpërndanë në të gjitha partitë politike shqiptare. Shumë parti politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Iliridë dhe Kosovë Lindore i formuan, i drejtuan dhe vazhdojnë t’i drejtojnë ato, edhe pse shumë prej tyre quhen parti demokratike, emërtim që ju shërben vetëm si maskim”, thotë ai.

Sipas tij, “Kolona e Pestë” brenda LDK-së dështoi sa ishte gjallë Presidenti Rugova, por pas vdekjes së tij veproi me skenarin e ndarjes së partisë, duke e dobësuar atë përmes përçarjeve të brendshme.

“Në LDK u futën si „Kolonë e Pestë“ dhe përdorën strategjinë e njohur „Ta marrim Kalanë nga Mbrenda“. Falë autoritetit absolut të Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe anëtarësisë besnike të LDK-së, dështuan çdo herë sa herë që provuan, por kjo nuk do të thotë se u shuan përpjekjet e tyre. Ato vazhduan pa ndërprerje duke pritur momentin e volitshëm, deri në vdekjen e Presidentit Rugova. Dhe ja tani erdhi momenti i volitshëm për të realizuar ëndrrën e tyre për shkatërrimin e LDK-së. U hodhën në veprim me skenarin e tyre të ndarjes në dysh të LDK-së, si fazë fillestare e dobësimit. Dikush me vetëdije e dikush pa vetëdije u bë pjesë e këtij skenari ogurzi, i cili ndodhi fillimisht në „Kuvendin e Karrikave“ dhe pastaj vazhdoi ndarja”, nënvizon ai.

Më tej, Tahiraj shprehet se paritët politike dhe disa parti minore, pavarësisht përplasjeve mes vete, kanë një qëllim të përbashkët: dobësimin dhe zhdukjen e LDK-së si forcë politike me orientim nacional dhe pro-perëndimor, në bashkëveprim edhe me “Kolonën e Pestë” brenda saj.

“Të tri partitë tjera, PDK, VV, AAK dhe disa parti minore, janë themeluar nga i njëjti skenar dhe i njëjti brumë. Qëllimi ishte i njëjtë, zhdukjen e LDK-së nga skena politike si partia më e fuqishme me program të qartë nacional perëndimor. Komunistët, si në Luftën e Dytë Botërore, në Luftën e fundit në Kosovë dhe trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, dhe pas saj, nuk mund të shohin një parti politike shqiptare me orientim të djathtë nacionalist, pro perëndimor, të drejtojë shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi. Sado që në sipërfaqe bëjnë luftë politike mes veti, këto parti politike; VV, PDK, AAK dhe disa parti minore, qëllimin e përbashkët final e kanë zhdukjen e LDK-së, shto këtu edhe „Kolonën e Pestë“ brenda LDK-së e cila ka filluar të nxjerrë kokën”, shprehet Tahiraj.

Në përfundim, Tahiraj thekson se forca e vetme shpëtuese e LDK-së ka qenë dhe mbetet anëtarësia besnike, duke bërë thirrje për unitet, largimin e “Kolonës së Pestë” dhe ruajtjen e Rugovizmit ekskluzivisht brenda LDK-së, ndërsa vlerëson lidershipin aktual për mbajtjen e fjalës së dhënë.

“Në tërë historikun e zhvillimeve në LDK-në pas Rugoviane, shpëtimtari i vetëm që mbeti ishte anëtarësia e saj besnike. Në këto momente të rëndësishme historike për LDK-në duhet unitet i fuqishëm i kësaj anëtarësie besnike që asnjëherë nuk tradhtoi. Fillimisht duhet të demantohet dhe çmontohet përfundimisht propaganda e atyre që e tradhtuan LDK-në në momentet më të vështira dhe tani na thërrasin se po e mbrojnë Rugovizmin në VV, në partinë më anti-Rugoviane, absurditeti i llojit të vet. Rugovizmi mbrohet vetëm në LDK dhe askund tjetër. „Kolona e Pestë“ duhet të nxirret jashtë LDK-së përfundimisht.

Shtrati i LDK-së është shumë i gjerë dhe i fuqishëm, si në Kosovë dhe mërgatë, plus kemi përkrahje të fuqishme ndërkombëtare nga miqtë tradicionalë. Duhet vetëm t’i afrojmë me biseda të sinqerta dhe besueshmëri e jo si deri më tani nga disa drejtues që asnjëherë nuk e mbajtën premtimin. Këtu dua të shpreh konsideratën për lidershipin aktual i cili mbajti fjalën e dhënë që nga fillimi se nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti. Anëtarësia besnike e LDK-së respekton ata/ato që janë të sinqertë dhe e mbajnë fjalën” – përfundon Tahiraj për “Bota sot”.