Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria A.V., për shkak të kryerjes së veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim” nga neni 414 par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë i akuzuari kishte si specialistë i mjekësisë familjar me qëllim të përftimin ka lëshuar raporte mjekësore për pacientë të cilët nuk kanë vuajtur nga sëmundje.
“I pandehuri akuzohet se nga data 20.07.2025 deri me datë 28.10.2025 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, me dashje në cilësinë e personit zyrtar si specialist i mjekësisë familjare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për vete në atë mënyrë që ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve duke e ditur se personat në fjalë – pacientët nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, duke i pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojnë me qëllim që të njëjtit këto raporte mjekësore t’i përdorin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-212 e Punës, po ashtu ka përshkruar barna pacientëve sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, ku pas lëshimit të raporteve mjekësore ka pranuar dobi pasurore – para nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thuhet nga Prokuroria.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën penale që i vihet në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtit t’i shqiptojë sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.


