Histori

Në kujtim dhe mos harrim të Prof. Dr. Sabahajdin Cena

Patrioti, atdhetari, veprimtari i palodhur i rezistencës, sakrificës, zëri i lëvizjes për liri, demokraci dhe Pavarësi të Kosovës, profesori universitar, intelektuali, publicisti, shkrimtari, poeti dhe një nga figurat më të devotshme, luftëtari–eprori i lartë i UÇK-së… Prof. Dr. Sabahajdin Cena u shua para tre viteve, më 13 janar të vitit 2023.

Ishte veprimtar dhe atdhetar i thekur i çështjes kombëtare e ushtarake, shkrimtar i mirënjohur dhe korife i letërsisë.

Intelektual i njohur i vendit, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe në shtetndërtimin e vendit pas luftës.

Ishte kronist i luftës së UÇK-së, kësaj historie të lavdishme të shqiptarëve të Kosovës.

Veteran i arsimit, ish-komandant për moral i Zonës Operative të Pashtrikut të UÇK-së.

Ai ka dhënë kontribut të madh si në arsim, ashtu edhe në luftën e UÇK-së, etj.

Emri “Profës” mbetet i paharruar jo vetëm për vendlindjen, por ai është një nga njerëzit më të dashur e të çmuar tejembanë Kosovës.

Jeta dhe vepra e profesor doktor Sabahajdin Cenës gjithnjë kanë qenë në shërbim të Kombit dhe Atdheut.

Ai ka qenë i autorizuar për të hartuar dhe për të shkruar qindra biografi të dëshmorëve e dëshmoreve të luftës së UÇK-së për Zonën Operative të Pashtrikut.

“PROFA” ka lënë një trashëgimi të begatshme dokumentare, publicistike dhe artistike.

Mirëpo, ndonëse kaluan tre vite, as komuna dhe as organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, për fat të keq, deri sot nuk bënë asgjë konkrete, as në letër e as në vepër, lidhur me fatin e Shtëpisë së Profës, ku ai pati jetuar, punuar dhe vepruar që nga paslufta e deri në vdekje, e cila “dergjet” në grykën e maleve të Luginës së “Gjeraqinës”.

Pyetja është: a e ka merituar këtë harresë, me apo pa qëllim, Profa, që shtëpia e tij të mos shndërrohet në një SHTËPI MUZE TË KUJTESËS HISTORIKE?!

Kjo dhe sjellje të tjera le të mbesin në ndërgjegjen e hyqymetit.

P.S.: Prof. Dr. Sabahajdin Cena lindi më 13 mars 1953 në Rahovec dhe u nda nga jeta më 13 janar të vitit 2023.

Lavdi, nderim dhe respekt të përjetshëm për “Profën”. Prehu i qetë dhe të qoftë i lehtë dheu i Kosovës.