Dy ish-punonjëse që punuan në rezidencat e Julio Iglesias në Karaibe në vitin 2021, kanë akuzuar këngëtarin spanjoll për sulm seksual.
Zyra e Prokurorit të Spanjës ka hapur një hetim paraprak penal.
Sipas një hetimi të përbashkët trevjeçar, akuzat kanë të bëjnë me një ish-punonjëse shtëpiake dhe një fizioterapiste personale të këngëtarit dhe kompozitorit spanjoll me famë botërore, aktualisht 82 vjeç.
Mediat kanë mbledhur dëshmi nga gra, të cilat përshkruajnë një mjedis pune të karakterizuar nga “kontrolli, ngacmimi dhe terrori”. Sulme seksuale të përsëritura në një klimë “kontrolli” dhe “poshtërimi”, në ato që përshkruhen si “shtëpi terrori”, rezidencat e këngëtarit në Punta Cana, Republika Dominikane, dhe Lyford Cay, Bahamas, dhe pranë Marbella-s, në Costa del Sol.
Akuzat u bënë nga një ish-punonjëse shtëpiake dhe një ish-fizioterapiste.
E para, e identifikuar me pseudonimin e saj Rebecca, e cila ishte 22 vjeç kur pësoi abuzimin, tregoi në një intervistë të gjatë se i ishte nënshtruar presionit të vazhdueshëm dhe intensiv për të pasur marrëdhënie jo konsensuale me Iglesias, atëherë 77 vjeç, dhe ishte detyruar të angazhohej në aktivitete seksuale.
“Ai më përdorte pothuajse çdo natë”, tha ajo, deri në atë pikë sa u ndjeva si “një robot” ose “një skllave” pa fuqi për t’i rezistuar. Ajo deklaroi se e la punën me simptoma ankthi dhe depresioni, të cilat kërkonin trajtim psikologjik.
Ankuesja e dytë, me emrin e rremë Laura, punonte si fizioterapiste personale e Iglesias dhe ishte pjesë e një grupi punonjësesh të njohura si “zonjusha të reja”. Ato gëzonin kushte më të mira në shërbimin shtëpiak, por prapë i nënshtroheshin disiplinës së ashpër brenda shtëpisë, ku punonjëset përshkruanin ditë pune deri në 16 orë.
Laura raportoi puthje të padëshiruara, prekje dhe marrëdhënie seksuale të pakontrolluara që ndodhën si në plazh ashtu edhe pranë pishinës në vilën e këngëtarit në Punta Cana. Sipas elDiario.es dhe Univision Noticias, të dy dëshmitë u konsideruan të qëndrueshme dhe të mbështetura nga prova dokumentare, duke përfshirë fotografi, mesazhe në ËhatsApp, viza dhe raporte mjekësore.
Gjatë tre viteve të hetimit, gazetarët kontaktuan gjithsej 15 ish-punonjëse, përshkrimet e të cilëve përkonin me një klimë të tensionuar, keqtrajtim të normalizuar dhe izolim për stafin femëror. Gratë morën këshilla ligjore nga një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Mediat u përpoqën vazhdimisht të kontaktonin Julio Iglesias – i cili që atëherë është tërhequr nga vendi i ngjarjes – dhe avokatin e tij për koment, por nuk morën asnjë përgjigje. Një menaxher i burimeve njerëzore, kur u kontaktua, i hodhi poshtë akuzat si “të pakuptimta”./ ANSA.


