BBV

Përfundon mbledhja, Abdixhiku: Do ta ofroj dorëheqjen në Kuvendin e LDK-së

Mbledhja më shumë se pesë orëshe e rrethit të ngushtë të LDK-së ka përfunduar.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do ta vë në dispozicion dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret përmes votës së delegatëve.

Deklaratat Abdixhiku i bëri pas një takimi disaorësh me bashkëpunëtorët e tij, të mbajtur të martën në selinë qendrore të LDK-së. Ai tha se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se vetëm Kuvendi i partisë ka kompetencë të vendosë për këtë çështje.

Sipas tij, çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të kandidojë për postin e kryetarit, duke theksuar se partia mbetet e bashkuar dhe se të gjitha vendimet do të merren përmes organeve partiake.

Abdixhiku sqaroi se takimi i mbajtur ishte i karakterit joformal, ndërsa mbledhja e parë formale do të jetë ajo e Kryesisë së LDK-së, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Pas saj, do të thirret edhe Kuvendi i partisë.

“LDK-ja është unike, është e bashkuar, i shtron çështjet në konsultime të tilla dhe do t’i formalizojë tutje në organet partiake. Ishte takim joformal i kryetarit me bashkëpunëtorët e vet. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të ndodhë javën e ardhshme. Pas mbledhjes së Kryesisë, do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, ka thënë ai të martën mbrëma.

Ai shtoi se nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të vazhdojë detyrën e kryetarit, duke nënvizuar se çdo shmangie nga vendimi i anëtarësisë do të ishte e papërgjegjshme.

“Çdo vendim që do të merret do të jetë në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.

LDK-ja, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, shënoi një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj, duke u renditur e treta me 13.23 për qind të votave.