Shëndetësi

Koha e tepërt para ekranit – çfarë ndodh me trurin e fëmijës suaj?!

Hulumtimet e reja qeveritare tregojnë se koha e shtuar para ekrani,t mund të lidhet me zhvillim më të dobët të fjalorit tek fëmijët e vegjël.

Gjetjet erdhën nga studimi Fëmijët e viteve 2020 (COT20s), ku kujdestarëve kryesorë iu kërkua të plotësonin një anketë online kur fëmija i tyre ishte rreth dy vjeç (midis 24 dhe 28 muajsh), midis tetorit 2023 dhe shkurtit 2024. Në total, u plotësuan 4,758 anketa.

Rezultatet nga anketat zbuluan se fëmijët në grupin me kohën më të lartë para ekranit – mesatarisht rreth pesë orë në ditë – ishin në gjendje të thoshin, mesatarisht, 53% të 34 fjalëve të testit, krahasuar me 65% midis fëmijëve në grupin me kohën më të ulët para ekranit, të cilët mesatarisht kalonin vetëm 44 minuta në ditë.

Ja pesë mënyra se si koha para ekranit mund të ndikojë në trurin e fëmijës suaj…

A janë fëmijët më të prekshëm ndaj efekteve të kohës para ekranit sesa të rriturit?

“Truri i fëmijëve është si sfungjerë që thithin përvoja me një shpejtësi të pabesueshme”, thotë Dr. Samir Shah, psikiatër konsulent dhe drejtor në Spitalin Priory Altrincham. “Periudhat kryesore të zhvillimit, veçanërisht para moshës pesë vjeç dhe gjatë viteve para adoleshencës, janë kur truri i nënshtrohet rritjes më të shpejtë.

“Shumë kohë para ekranit gjatë këtyre fazave mund të ketë efekte më afatgjata, krahasuar me të rriturit.”

Torkel Klingberg, profesor i neuroshkencës njohëse në Institutin Karolinska dhe shkencëtar themelues në aplikacionin e trajnimit të kujtesës Nuroe, pajtohet dhe shton: “Zhvillimi i aftësive njohëse gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është absolutisht thelbësor. Është një kohë neuroplasticiteti dhe është thelbësore për arsimin dhe performancën e të rriturve.”

1. Ndikon në hapësirën e vëmendjes dhe fokusin

“Ne [në Institutin Karolinska] publikuam së fundmi rezultatet e një studimi të madh që përfshinte më shumë se 8,000 fëmijë të moshës 10 deri në 14 vjeç dhe hartëzuam sasinë e kohës që ata kalonin në mediat sociale, lojërat ose televizorin, dhe zbuluam se ishte pikërisht koha në mediat sociale, që shoqërohej me simptoma të shtuara të mungesës së vëmendjes”, thotë Klingberg. “Për shembull, ata raportuan probleme me përqendrimin për një periudhë më të gjatë kohore, shpërqendroheshin lehtë dhe kishin probleme me përfundimin e detyrave të shtëpisë.”

2. Ndikim negativ në humor dhe shëndet mendor

“Hulumtimet na kanë treguar se adoleshentët dhe fëmijët që kalojnë më shumë se katër orë në ditë para ekraneve, kanë më shumë gjasa të përjetojnë nivele më të larta ankthi dhe depresioni”, thekson Shah. “Stimulimi i vazhdueshëm dhe i ekraneve digjitale mund t’i lërë mendjet e të rinjve të ndihen të mbistimuluara me nivele më të larta dopamine, por të paplotësuara emocionalisht.”

“Fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve, ndonjëherë mund ta kenë më të vështirë të menaxhojnë frustrimin dhe acarimin.”

Kjo gjithashtu mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të dalluar sinjalet sociale.

“Më pak takime ballë për ballë dhe të drejtpërdrejta, do të thotë më pak mundësi dhe shanse për të praktikuar aftësi të rëndësishme sociale dhe ekzekutive, si empatia dhe zgjidhja e konflikteve”, shpjegon Shah.

3. Mungesa e gjumit

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj është se koha para ekranit dhe mediat sociale po i zënë vendin gjërave të tjera, të tilla si sporti, ndërveprimet ballë për ballë dhe, më e rëndësishmja, gjumi”, thekson Klingberg. “Ka shumë studime që tregojnë rëndësinë e gjumit si për mirëqenien psikologjike ashtu edhe për performancën njohëse, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në trurin e të rinjve në rritje.

“Mungesa e gjumit mund të ndikojë në kujtesën afatgjatë, kujtesën e vëmendjes dhe kujtesën e punës.”

4. Ndikon në aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe në kujtesë

“Shpërqendrimet e vazhdueshme në internet, nënkuptojnë që fëmijët shpesh privohen nga aftësia për t’u përqendruar për një kohë më të gjatë dhe humbasin sfidat njohëse që nxisin dhe përfitojnë zhvillimin njohës, i cili përfshin si vëmendjen ashtu edhe kujtesën punuese”, thotë Klingberg.

“Ne e dimë që kujtesa e punës është diçka që mund të zhvillohet me anë të trajnimit, kështu që mendoj se një pjesë e kësaj është përpjekja për të zvogëluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, dhe për të kaluar kohë në aktivitete që kërkojnë më shumë përqendrim, siç është leximi ose detyrat e shtëpisë, për shembull.”

5. Çrregullon sistemet e ‘shpërblimit’

“Ekranet e rregullta shkaktojnë çlirimin e dopaminës, e cila është kimikati i trurit që të bën të ndihesh mirë. Kjo më pas krijon një cikël dëshire për më shumë kohë para ekranit për të marrë të njëjtin efekt”, shpjegon Shah.

“Është pak si të kontrollosh derën disa herë dhe të shpresosh për një vizitor emocionues. Me kalimin e kohës, aktivitetet e botës reale dhe ato realiste, mund të fillojnë të ndihen më pak të dobishme në krahasim. Kjo është arsyeja pse fëmijët dhe adoleshentët që përdorin ekrane rregullisht, kanë vështirësi të ruajnë ose të ndërtojnë lidhje shoqërore kuptimplote.”/ DPA News.