Chiara Ferragni po përgatitet të rikthehet. Pas dy vitesh me kriza personale, hetime, polemika dhe një heshtje e qëllimshme mediatike, sipërmarrësja dhe influencuesja italiane duket gati të rimarrë kontrollin e narrativës publike dhe këtë herë, do ta bëjë sipas kushteve të veta.
Vitet e fundit kanë qenë ndër më të trazuarat në jetën publike të Ferragni-t. Fundi i martesës me Fedez, shpërthimi i “skandalit Pandoro”, zhurma e pandërprerë mediatike, hetimet dhe më pas mbyllja e çështjes pa procedim penal.
Përballë gjithë kësaj, Chiara zgjodhi një strategji të pazakontë për një figurë si ajo: u tërhoq – më pak dalje publike, mungesë në tapetet e kuq, një prani shumë e kufizuar në rrjete sociale.
Tani, megjithatë, diçka po ndryshon. Sipas asaj që raporton Vanity Fair, Ferragni ka nisur xhirimet e një dokumentari të ri për Netflix, i cili pritet të publikohet brenda muajve të ardhshëm. Jo vetëm kaq: paralelisht, janë duke u zhvilluar negociata edhe për një format të rëndësishëm televiziv, ku Chiara do të japë intervistën e saj të parë pas mbylljes së çështjes gjyqësore.
Një vendim i menduar me kujdes, siç e konfirmoi vetë ajo për Corriere della Sera: “Dalëngadalë do të filloj të flas dhe do të tregoj, pa zemërim, se çfarë kanë qenë këta dy vite.”
Dokumentarët nuk janë një fushë e panjohur për Ferragni-n. Në vitin 2019 ajo prezantoi në Festivalin e Filmit në Venecia “Chiara Ferragni – Unposted”, më pas i shpërndarë në Prime Video. Po në të njëjtën platformë u publikuan edhe dy sezonet e “The Ferragnez”.
Që diçka po përgatitej, ishte kuptuar prej kohësh. Gjatë një seance gjyqësore nëntorin e kaluar, gazetari Domenico Marocchi deklaroi se kishte vënë re një kamerë “jo të akredituar” që xhironte Ferragni-n në korridoret e Gjykatës. “Përveç gazetarëve dhe mediave, u shfaqën disa persona me një kamerë që nuk ishte e akredituar. Kush ishin? Ndoshta po xhirohej diçka?” tha ai.
Duket se tani Chiara nuk do të jetë thjesht subjekt i rrëfimit, por do të jetë autore e tij, do të zgjedhë çfarë të tregojë, si ta tregojë dhe kur.


