ShowBizzz

Çmimet Oscar/ Kush janë favoritët për të fituar?

Ndërsa lista e shkurtër e kandidatëve për çmimet prestigjioze Oscar pritet të shpallet këtë javë, revista The Hollywood Reporter ka publikuar parashikimet e saj për fituesit e mundshëm, bazuar në analizën dhe modelin matematik të ekspertit Ben Zauzmer.

Analiza e Zauzmer përdor të dhëna nga çmimet e viteve të mëparshme dhe modele statistikore të sezonit aktual të çmimeve për të parashikuar nominimet për Oscar 2026. Sipas kësaj analize, bazuar edhe në buxhetet dhe ndikimin e filmave, kryesues për çmimin Filmi më i Mirë është “One Battle After Another”, i ndjekur nga “Sinners”, “Hamnet”, “Marty Supreme” dhe “Frankenstein”.

Sipas The Hollywood Reporter, këta pesë filma pritet të jenë pjesë e listës së ngushtë të të nominuarve, e cila do të shpallet më 22 janar. Po ashtu, filmat “Sentimental Value” dhe “Train Dreams” konsiderohen se kanë shanse të mira për t’iu bashkuar kësaj liste.

Në kategorinë e Regjisorit më të Mirë, modeli matematik i Ben Zauzmer parashikon si favorit Paul Thomas Anderson për filmin “One Battle After Another”. Pas tij renditet Ryan Coogler, regjisori i “Sinners”, ndërsa në vendin e tretë është Chloé Zhao për “Hamnet”. Josh Safdie (“Marty Supreme”) dhe Guillermo del Toro (“Frankenstein”) kanë shanse pak më të ulëta, por pothuajse të barabarta mes tyre.

Sa i përket kategorisë së Aktorit më të Mirë, gara pritet të jetë e fortë mes Michael B. Jordan (“Sinners”), Leonardo DiCaprio (“One Battle After Another”), Timothée Chalamet (“Marty Supreme”), Wagner Moura (“The Secret Agent”) dhe Ethan Hawke (“Blue Moon”).

Në kategorinë e Aktores më të Mirë, sipas parashikimeve të The Hollywood Reporter, në krye janë Jessie Buckley (“Hamnet”) dhe Rose Byrne (“If I Had Legs I’d Kick You”).

Ndërkohë, gara për Aktorin më të Mirë Mbështetës udhëhiqet nga Stellan Skarsgård (“Sentimental Value”), i ndjekur nga Benicio del Toro dhe Sean Penn (të dy në “One Battle After Another”), Paul Mescal (“Hamnet”), si dhe Jacob Elordi (“Frankenstein”) dhe Adam Sandler (“Jay Kelly”).

Edhe kategoria e Aktores më të Mirë Mbështetëse dominohet nga filmi “One Battle After Another”, me Teyana Taylor si favorite, e ndjekur nga Amy Madigan (“Sinners”) dhe Inga Ibsdotter Lilleaas (“Sentimental Value”).

Lista zyrtare e nominimeve pritet të konfirmojë nëse këto parashikime do të rezultojnë të sakta në garën për çmimet më prestigjioze të kinemasë botërore.