Bilanci i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Spanjë vijon të rëndohet. Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas daljes nga shinat dhe përplasjes së dy trenave mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:39, në linjën e shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzí.
Sipas shërbimeve të emergjencës, trupat e viktimave janë nxjerrë nga vagonët e dëmtuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Adamuzit, në provincën e Kordobës.
Vetëm në trenin Iryo, që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, raportohet për të paktën 21 viktima dhe 22 të plagosur, sipas burimeve të kompanisë, e cila ka vënë në dispozicion një numër telefoni për familjarët e pasagjerëve. Ndërkohë, edhe kompania Renfe ka aktivizuar një linjë të posaçme informacioni për pasagjerët e trenit Alvia.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e ka cilësuar ngjarjen si “një natë dhimbjeje të thellë”, duke shprehur solidaritetin me familjet e viktimave dhe të plagosurve. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Një mesazh ngushëllimi e dërgoi edhe kryeministri Rama.
“I dashur Pedro,
Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz.
Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.
Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”, shkruan Rama.
/tiranapost


