Një martesë me fund të papritur. Ngjarja ka ndodhur në Groseto të Italisë, aty ku një 20-vjeçar është arrestuar nga karabinierët menjëherë pas ceremonisë. I riu ishte në kërkim për një grabitje të kryer në Çivitavekia në vitin 2023.
Dita, që duhej të ishte më e bukura e jetës së tij, u kthye në një tronditje të madhe. Sapo kishte shkëmbyer unazat me bashkëshorten në altar, përpara tij u shfaqën forcat e rendit dhe i vunë prangat. I riu me origjinë nga Tunizia, ishte paraqitur në Bashkinë e Groseto-s për t’u martuar me një vajzë bashkëmoshatare nga Marema.
Çifti kishte kohë që e priste këtë moment, edhe sepse bashkëshortja e tij është shtatzënë. Por, dhëndri nuk e dinte se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti për grabitjen e kryer dy vite më parë. Ai u identifikua falë publikimeve të martesës, të cilat janë të detyrueshme me ligj në Itali. Ky detaj i dha mundësi autoriteteve të verifikonin identitetin e tij.
Të martën në mëngjes, karabinierët mbërritën në bashki dhe duke parë se çifti ishte gati për ceremoninë, vendosën që fillimisht të lejonin zhvillimin e martesës. Vetëm pas përfundimit të celebrimit, uniformat blu ndërhynë duke kryer arrestimin. Për momentin, festa e martesës është shtyrë.


