BBV

KFOR dhe Policia zhvillojnë ushtrim të përbashkët për “reagim efektiv dhe gatishmëri të lartë operacionale”

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se ushtarët e tij, në bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë realizuar ushtrimin e përbashkët të quajtur “Incident Command Walkthrough”.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ky ushtrim ka pasur për qëllim ushtrimin e procedurave dhe metodave të koordinuara, të cilat sigurojnë një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe një reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë.

“Ushtarë nga Batalioni Manevrues RC-E, që shërbejnë nën misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës zhvilluan një Incident Command Walkthrough, i cili mundësoi ushtrimin e procedurave dhe metodave të koordinuara që sigurojnë gatishmëri të lartë operacionale dhe një reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë”, thuhet në postimin e KFOR-it.

Në njoftim theksohet se ushtrime të tilla përforcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin efektiv ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke mbështetur misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Këto aktivitete mbështesin drejtpërdrejt misionin e KFOR-it për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend”, thuhet më tej.

KFOR-i ka rikujtuar se veprimtaria e tij bazohet në mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, KFOR-i vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.