Lajme

A do të dominojnë idetë apo fyerjet në këtë fushatë zgjedhore?

Më 28 maj ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Pak ditë para nisjes së saj, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë thirrje për një gjuhë më të respektueshme dhe gjithëpërfshirëse gjatë fushatës parazgjedhore, duke kërkuar nga partitë politike dhe kandidatët që të shmangin gjuhën seksiste dhe mizogjene ndaj grave.

Në reagimin e saj, BE-ja ka theksuar se pjesëmarrja e grave në politikë duhet të garantohet në mënyrë të barabartë dhe pa presion, si në hapësirat publike ashtu edhe në platformat online.

“Në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore, BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve të Kosovës, që marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online.

Gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë, si offline ashtu edhe online.

Barazia gjinore, dinjiteti njerëzor dhe demokracia janë vlera themelore të BE-së dhe elemente thelbësore për zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në thirrjen e BE-së.

Njohësit vlerësojnë se thirrja e Zyrës së BE-së për përdorimin e një gjuhe më respektuese dhe gjithëpërfshirëse gjatë fushatës zgjedhore është e nevojshme për forcimin e demokracisë në Kosovë. Sipas tyre, debati politik duhet të bazohet në ide, programe dhe vizion, e jo në sulme personale apo gjuhë seksiste ndaj grave, pasi kjo dëmton kulturën demokratike dhe rolin e grave në politikë.

Ata theksojnë se ndikimi i kësaj thirrjeje do të varet nga mënyra se si partitë politike do ta zhvillojnë fushatën dhe sa do të shmangin gjuhën fyese apo denigruese. Po ashtu, analistët kërkojnë që deklaratat kundër gjuhës së urrejtjes të mos mbeten vetëm formale, por të shoqërohen me reagime konkrete nga partitë, mediat dhe shoqëria.

Në të njëjtën kohë, vlerësohet se qytetarët duhet të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të mbështesin kandidatë që përfaqësojnë meritokraci dhe vlera demokratike. Gjithashtu, konsiderohet se pas zgjedhjeve Kosova duhet të dalë nga bllokadat politike dhe të krijojë institucione funksionale.

Halilaj mbështet thirrjen e BE-së: Kosova ka nevojë për kulturë politike më evropiane

Fillimisht, anëtari i Guxo, Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se thirrja e Zyrës së BE-së në Kosovë është e nevojshme për demokracinë.

Image
Gazmend Halilaj

Ai ka theksuar se, debati politik duhet të bazohet në ide e programe, jo në sulme personale apo gjuhë seksiste ndaj grave dhe mesazhi i BE-së duhet të merret seriozisht nga partitë politike. 

“Thirrja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për një gjuhë më të respektueshme dhe gjithëpërfshirëse gjatë fushatës zgjedhore është e drejtë dhe e nevojshme për demokracinë në vend. Në një shoqëri që synon standarde evropiane, debati politik duhet të ndërtohet mbi ide, programe dhe vizion për shtetin, e jo mbi sulme personale, gjuhë seksiste apo nënçmuese ndaj grave.

Fatkeqësisht, në shumë procese zgjedhore kemi parë raste ku gratë në politikë janë sulmuar më shumë për gjininë sesa për qëndrimet e tyre politike. Kjo dëmton jo vetëm figurën e gruas në politikë, por edhe vetë kulturën demokratike të Kosovës. Prandaj, mesazhi i BE-së duhet të merret seriozisht nga të gjitha subjektet politike”, ka thënë ai.

Sipas Halilajt, efekti i kësaj thirrjeje do të varet nga mënyra se si partitë politike do t’i qasën fushatën zgjedhore dhe sa do të jenë të gatshme të shmangin gjuhën fyese apo denigruese.

Sa i përket ndikimit real të kësaj thirrjeje, kjo varet nga vullneti i partive politike dhe mënyra se si ato e konceptojnë fushatën. Nëse partitë e shohin politikën si garë idesh dhe jo si luftë linçimi, atëherë kjo thirrje mund të ketë efekt pozitiv. Në këtë drejtim, mendoj se Lëvizja Vetëvendosje ka treguar më shumë seriozitet në promovimin e grave në institucione dhe në përfshirjen e tyre në vendimmarrje, duke sjellë një standard më ndryshe në skenën politike”, ka theksuar ai.

Ai ka paralajmëruar se deklaratat e tilla nuk duhet të mbeten vetëm në nivel formal, por të shoqërohen me reagime konkrete kundër gjuhës së urrejtjes dhe seksizmit në fushata.

“Megjithatë, nëse deklarata mbetet vetëm formale dhe nuk shoqërohet me reagime konkrete ndaj gjuhës së urrejtjes apo seksizmit, atëherë rrezikon të mbetet vetëm një mesazh protokollar pa ndikim real në terren. Për këtë arsye, përgjegjësia kryesore bie mbi vetë partitë, kandidatët, mediat dhe shoqërinë që të mos normalizojnë gjuhën fyese gjatë fushatave.

Në fund, Kosova ka nevojë për një kulturë politike më qytetare dhe më evropiane, ku gratë respektohen dhe ku gara zhvillohet mbi punën dhe programin politik, jo mbi sulme personale apo paragjykime gjinore”, ka përfunduar Halilaj për “Bota sot”.

Muçiqi: Gjuha seksiste dhe fyerjet nuk kanë vend në politikë

Ndërkaq, analisti Ismail Muçiqi, për “Bota sot”, ka deklaruar se pret që qytetarët të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të votojnë kandidatë të përzgjedhur mbi bazën e meritokracisë. 

Image
Ismail Muçiqi

Ai e ka mirëpritur reagimin e BE-së, por e ka quajtur të vonuar. 

“Mendoj se më në fund do të mbizotëroj arsyeja dhe se qytetarët masovikisht do të marrin pjesë në zgjedhje duke i votuar kandidatët që kësaj radhe kanë vlera dhe janë të propozuara në bazë të meritokracisë. Reagimi i zyrës së Bashkimit Evropian më në fund është i mirëpritur edhe pse me pak vonesë. Bashkimi Evropian rreth krizës politike në Kosovë, rreth bllokimit në zgjedhjen e institucioneve të shtetit që zgjati shumë ka qëndruar indiferent më në fund i ka parë gabimet e veta. Bashkimi Evropian dhe misionet e saja në Kosovë kanë obligim moral dhe ligjorë që në momente të caktuara kur e kërkon nevoja duhet të ndërhyn për t’iu ndihmuar partive në tejkalimin e krizave”, ka thënë ai. 

Tutje, Muçiqi ka komentuar edhe gjuhën denigruese ndaj grave gjatë fushatave zgjedhore, duke e cilësuar të papranueshme dhe dëmtuese për shoqërinë dhe politikën në Kosovë.

“Po ashu, gjuha denigruese ndaj grave është e pafalshme dhe vetëm njerëzit e paedukuar dhe të pakulturuar sillen në këtë mënyrë duke përdorur fjalor fyes dhe denigrues ndaj femrave të cilat janë vlerë për politikën e Kosovës.

Mendoj se pavarësisht gjuhës së komunikimit gjatë aktivitetit zgjedhor më në fund pas përfundimit të zgjedhjeve dhe numërimit të rezultateve të votimit do të zgjedhen institucione të reja të Republikës së Kosovës duke i dhënë fund obstrukcioneve dhe bllokadave të sajura dhe të organizuara nga partite dhe liderët e tyre të konsumuar dhe të degraduar”, ka përmbyllur Muçiqi për “Bota sot” .

Të Ngjashme