Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka asnjë informacion për vendimmarrjen e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin final më 16 shtator për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.
Kurti, pasi u pyet nga gazetarët për vendimmarrjen e Speciales më 16 shtator, tha shkurt se s’ka asnjë informacion për epilogun e këtij mekanizmi të drejtësisë.
A ka Kurti informacion për verdiktin final të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së?
“Nuk kam asnjë informacion. Këtu jemi për eficiencë të energjisë, por nuk kam asnjë informacion”, tha ai.
Këto komente Kurti i bëri derisa ishte në vizitë te familjet përfituese të projektit “E ardhmja e Energjisë së Gjelbër”.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka hyrë në fazën përfundimtare, pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe argumenteve të palëve. Vendimi i trupit gjykues pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme që nga fillimi i procesit në Hagë.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
