Për shekuj, është besuar se kur përballen me rrezikun, strucët (lloji struthio) e fut kokën në rërë për t’u fshehur. Kjo ide e ka bërë të njohur shprehjen “fut kokën në rërë si struci,” që i referohet dikujt që shmang përballjen me problemet e veta.
Ky besim mund të ketë rrjedhur nga natyralisti romak Plini Plaku, i cili përmendi në enciklopedinë e tij të hershme se strucët fusin kokën në shkurre për t’u bërë të padukshëm. “Megjithëse trupi i tyre është i madh, ata mendojnë se, kur fusin kokën dhe qafën në një shkurre, janë të fshehur tërësisht,” shkruan ai.
Por a e fut struci vërtet kokën në rërë? Jo, edhe pse ndonjëherë mund të duket sikur e fut.
Strucat, të cilët jetojnë në Afrikë, banojnë në habitate të ndryshme si savana, fusha dhe shkretëtira. Janë zogjtë më të mëdhenj në botë, duke arritur deri në 130 kilogramë dhe 2.7 metra lartësi, sipas San Diego Zoo. Megjithatë, kokat e tyre janë relativisht të vogla dhe kanë disa sjellje që, nga larg, mund të duken sikur i fusin kokat në rërë.
Ndryshe nga zogjtë e tjerë që ndërtojnë fole, strucët hapin gropa të cekëta në rërë për të lënë vezët e tyre dhe i rrotullojnë ato disa herë në ditë për t’i mbajtur të ngrohta. Nga larg, kjo mund të duket si një kokë e futur në rërë.
Strucët gjithashtu kalojnë shumicën e kohës me kokën pranë tokës ndërsa kërkojnë ushqim, duke përfshirë barërat dhe herë pas here kafshë të vogla, si minjtë, bretkosat dhe insektet.
Ato janë zogjtë më të shpejtë në botë, me një shpejtësi deri në 70 km/h. Nëse janë në rrezik, zakonisht vrapojnë për të shpëtuar, por nëse nuk munden, ndonjëherë shtrihen fare pranë tokës, duke zgjatur qafën për t’u fshehur në terren. Në disa raste, raportohet se strucët përdorin krahët për të krijuar një re pluhuri që mund të shpërqendrojë grabitqarët nga të vegjlit e tyre. Ato mund të japin edhe një goditje mjaft të fortë për të vrarë një luan.
Pra, në realitet, strucët mbështeten tek shpejtësia dhe shqisat e mprehta për të zbuluar dhe shmangur grabitqarët dhe nuk kanë nevojë të fusin kokën në rërë. / Science Focus – Syri.net