Shëndetësi

A është vërtet më e vështirë për gratë të bëjnë muskuj sesa për burrat?

Ky është një keqkuptim i zakonshëm, thotë Leigh Breen, specialist i fiziologjisë së muskujve në University of Leicester, megjithëse është e lehtë të kuptohet pse ekziston.

Burrat zakonisht kanë një raport më të lartë muskuj-yndyrë sesa gratë, kryesisht për shkak të ndryshimeve që ndodhin gjatë pubertetit, kur nivelet e testosteronit rriten ndjeshëm te meshkujt. Gratë, nga ana tjetër, priren të kenë një përqindje më të lartë yndyre trupore, e lidhur pjesërisht me estrogjenin.

“Megjithëse ekziston një lidhje midis testosteronit dhe sasisë së masës muskulore që kemi, kjo nuk përcakton sa efektivisht mund të ndërtojmë muskuj përmes stërvitjes me rezistencë”, thotë Breen.

“Gratë kanë nivele shumë më të ulëta testosteroni, rreth 15 deri në 20 herë më pak se burrat. Ekziston perceptimi se burrat fitojnë muskuj më lehtë për shkak të testosteronit më të lartë dhe më shumë receptorëve androgjenë në muskuj, por kjo nuk është plotësisht e saktë. Nëse shikon ndryshimin relativ, pra rritjen në përqindje, burrat dhe gratë reagojnë shumë ngjashëm ndaj stervitjes.”

Kjo do të thotë se shumica e njerëzve nuk kanë nevojë për programe të veçanta sipas gjinisë për të ndërtuar muskuj.

“Ka disa dallime fiziologjike për t’u marrë parasysh”, shton ai, “por në përgjithësi, burrat dhe gratë mund të ndjekin të njëjtat parime të stërvitjes me rezistencë dhe të presin përparim të krahasueshëm, sidomos në moshë të re.”

Përbërja trupore është një çështje tjetër. Edhe me stervitje, gratë ka të ngjarë të ruajnë një raport më të lartë yndyrë-muskuj sesa burrat.

“Mund ta ndryshosh këtë ekuilibër”, thotë ai, “por ulja shumë e madhe e yndyrës trupore zakonisht kërkon dieta dhe stërvitje mjaft ekstreme.”

Në këto nivele ekstreme mund të ketë pasoja, yndyra shumë e ulët trupore te gratë lidhet me çrregullime hormonale, cikle menstruale të parregullta dhe ndikime të mundshme në fertilitet.

Pra, është e mundur të ndryshohen këto raporte, por jo gjithmonë është e dëshirueshme nga pikëpamja e shëndetit.

Të Ngjashme