Kuriozitete

A ishin vikingët vërtet të dhunshëm?

Vikingët shpesh përshkruhen si luftëtarë brutalë, gjakatarë me sëpata luftarake dhe helmeta me brirë. Në kulturën popullore, vikingët tregohen duke bastisur, plaçkitur dhe vrarë këdo që u del para dhe duke kryer ekzekutime të frikshme, si “shqiponja e gjakut” famëkeqe.

Por a është i përligjur reputacioni i pamëshirshëm i vikingëve?

“Pyetja nuk është, ‘A ishin vikingët të dhunshëm?”, tha Daniel Melleno, një profesor i asociuar i historisë mesjetare dhe paramoderne në Universitetin e Denverit. “Ata ishin absolutisht të dhunshëm. Pyetja shtrohet nëse ata bëjnë diçka që është jashtë normës?”

Epoka e vikingëve zgjati nga rreth vitit 793 pas Krishtit deri në vitin 1066, duke përkuar me Mesjetën e Europës – një kohë tashmë e dhunshme, tha Melleno. Në këtë epokë, luftërat, skllavëria dhe bastisjet ishin të zakonshme, dhe vikingët nuk ishin përjashtim. Me anije të gjata të shpejta dhe të lëvizshme, vikingët ishin ekspertë në nisjen e sulmeve të befasishme nga deti.

Një nga bastisjet e para të vikingëve ishte në një manastir të pasur në ishullin britanik të Lindisfarne-s në vitin 793 pas Krishtit. Vikingët sulmonin shpesh manastiret, të cilat nuk ruheshin mirë dhe kishin bollëk. Për shkak se vikingët fillimisht ishin paganë dhe viktimat e tyre ishin të krishtera, sulmet e tyre u përshkruan si të neveritshme dhe të pafe.

“Këta janë të krishterë që shkruajnë dhe flasin për sulmin e këtyre ‘paganëve’,” tha Caitlin Ellis, një profesoreshë e asociuar e historisë mesjetare në Universitetin e Oslos. “Ndonjëherë ata madje thonë se është një ndëshkim nga Zoti që njerëzit e tyre kanë mëkatuar ose nuk kanë qenë mjaft të mirë.”

Ndryshe nga fqinjët e tyre jugorë, vikingët ishin kryesisht të analfabetë; ata lanë vetëm disa rune nga aktivitetet e tyre. Disa nga të vetmet prova të shkruara të veprimeve të tyre vijnë drejtpërdrejt nga viktimat e tyre ose nga sagat e shkruara qindra vjet më vonë nga pasardhësit e vikingëve. Megjithëse vikingët ishin gjithashtu tregtarë, fermerë dhe peshkatarë, viktimat e tyre, me të drejtë, ishin më të përqendruara në dhunën e kryer ndaj tyre, tha Melleno. Me kalimin e viteve, historitë e brutalitetit të vikingëve gjithashtu ka të ngjarë të zbukuroheshin.

“Disa nga burimet që janë më negative në mënyrën se si i përshkruajnë vikingët si veçanërisht të egër ose barbarë janë në fakt nga pak më vonë,” tha Ellis, “nga shekulli i 12-të, pra, disa qindra vjet pasi kishte filluar bastisja. Pra, ndoshta ka pak më shumë ekzagjerim me kohën që luan në imazhin që kemi ende sot.”

Përveç kësaj, mospërputhjet në shkrimet e disa burimeve hedhin dyshime mbi legjitimitetin e tyre, tha Melleno. Për shembull, një tregim nga kronisti Prudentius në vitin 834 pas Krishtit përshkruan se vikingët shkatërronin gjithçka në qytetin e Dorestadit, në atë që sot është Holanda. Por vitin e ardhshëm, fshati ishte ende në këmbë për vikingët që ta “shkatërronin” atë, shkroi Prudentius. Vikingët u kthyen në 836 për të shkatërruar përsëri qytetin, dhe pastaj përsëri në 837, raportoi ai.

“Nëse shikojmë të dhënat arkeologjike, një nga gjërat që nuk shohim shpesh janë varret masive ose shtresat e djegura – shenjat e atij shkatërrimi që do të prisnim t’i shihnim nëse i lexonim burimet dhe i merrnim ato në vlerë” tha Melleno.

Vikingët nuk ishin i vetmi grup që sulmonte dhe pushtonte qytete në Europën mesjetare. Agresorët myslimanë të quajtur “saraçenë” sulmuan shpesh pjesë të asaj që sot janë Franca, Zvicra dhe Italia. Magjarët, një grup nga Hungaria, sulmuan atë që sot është Bavaria. Dhe Karli i Madh, mbreti i Frankëve, zhvilloi një luftë dekadash kundër saksonëve që solli në vrasje masive, pengmarrje dhe plaçkitje në atë që sot është Gjermania.

“Cili është ndryshimi midis bastisjes së vikingëve dhe luftërave pushtuese franke? Nuk është aq i madh,” tha Melleno, duke shtuar se bëhet fjalë për dhunën shtetërore kundrejt njerëzve pa shtetësi që kryejnë akte dhune. Ka të ngjarë që për shkak se vikingët nuk ishin pjesë e një mbretërie formale, viktimat e tyre i shihnin ata si më të paparashikueshëm dhe barbarë.

“Vikingët shihen si të këqij sepse nuk janë një shtet që bën luftë”, shpjegoi ai. “Vikingët nuk kanë një vend, dhe thuajse nuk kanë një mbret … kështu që janë thjesht një grup piratësh.” / Real Clear Science – Syri.net