ShowBizzz

A ka marrë Klea Prenga mesazhe kërcënuese nga motrat Berisha? Ja si përgjigjet avokati i modeles

Avokati i Klea Prengës, Alfred Duka tha se modelja nuk ka pasur kurrë kontakte me motrat Berisha, si dhe nuk ka marrë as mesazhe kërcënuese.

I ftuar në një emision televiziv avokati deklaroi se sulmi ishte i qëllimshëm, aspak rastësi, pasi kamerat e sigurisë tregojnë që Mariela dhe Antonela Berisha nuk ishin duke darkuar në restorant.

Ai tha se modelja ishte e shoqëruar nga mikeshat e saj dhe nga një bashkëshort i njërës preëj shoqeve.

“Nuk ka pasur kontakte më parë, as mesazhe kërcënuese, asgjë. Ngjarja nuk ka qenë rastësi, sepse gjithë dinamika është regjistruar në kamerat e sigurisë në ambientin e lokalit. Dy motrat zbresin në ca shkallë dhe e sulmojnë direkt e në fytyrë. Klea më ka thënë se motrat Berisha nuk i kanë thënë asgjë, por thjesht e kanë sulmuar direkt e në fytyrë. Klea ka qenë e shoqëruar nga mikeshat dhe nga bashkëshorti i njërës prej shoqeve të Kleas”, tha Alfred Duka.

E pyetur nga moderatorja se nëse dyshohet se ndonjë nga mikeshat e Kleas ka bashkëpunuar me motrat Berisha, avokati tha se sipas dëshmisë së modeles nuk ka ndodhur diçka e tillë, por shtoi se mbetet për t’u hetuar.

“Kjo është një çështje që i përket hetimit nëse do të shtrihet deri këtu. Por, as Klea nuk ka hedhur hije dyshimi se ndonjë prej personave ka pasur bashkëpunim me motrat Berisha”, tha Duka.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 gusht 2024, kur Klea, e cila ishte duke darkuar në një restorant, u sulmua barbarisht nga motrat, të cilat e goditën me sende të forta, përfshirë shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.

Ishte vetë e dhunuara Klea Prenga e cila denoncoi rastin në polici dhe madje në rrjetet sociale nxorri edhe fotot duke treguar tmerrin që përjetoi.



ks