LifeStyle

​A mund ta dëmtojë mirësjellja karrierën?

Nëse jeni duke luftuar për të thënë “jo” në punë dhe në vend të kësaj ndjeni nevojën për të ndihmuar vazhdimisht kolegët, mund të jeni duke kompromentuar suksesin tuaj. Sado e vrazhdë që tingëllon, hulumtimet tregojnë se të qenit i ndërgjegjshëm dhe i mirë me të tjerët mund të ketë një kosto për sa i përket suksesit në karrierë. Mund të nënkuptojë edhe të fitoni më pak gjatë karrierës suaj.

Njerëzit që bien dakord më lehtë kanë një tipar personaliteti i karakterizuar nga dhembshuria, miqësia, mirësjellja dhe ndjeshmëria. Njerëzit me këtë tipar personaliteti mund të përshkruhen si “të këndshëm”; ata priren të bëjnë miq të mirë, janë dëgjues të mirë dhe kolegë të mirë. Por, si ndikon kjo te vetë ata?

Një studim zbuloi se punonjësit që janë të mirë me të tjerët kanë të ardhura më të ulëta se njerëzit “të papëlqyeshëm” nga stafi. Ata gjithashtu priren të kenë status më të ulët profesional (për shembull, ata marrin më pak avancime). Të qenit shumë i mirë mund të jetë gjithashtu një problem për menaxherët të cilët shpesh kanë nevojë të marrin vendime të vështira dhe të japin lajme të këqija në mënyrë që punët të kryhen.

Njerëzit e këndshëm ka të ngjarë të tërhiqen nga profesionet “sociale” që janë emocionalisht kërkuese (për shembull infermieria dhe këshillimi) dhe kanë shkallë të lartë të rraskapitjes. Këto profesione gjithashtu zakonisht marrin më pak pagesa se profesionet e tjera të klasifikuara si “hetuese”, si shkencëtarët dhe kirurgët, dhe “sipërmarrëse”, si sipërmarrësit dhe menaxherët.

Pse të jeni vazhdimisht i mirë ndonjëherë ju bën dëm?

Duket se ka dy arsye pse njerëzit e këndshëm mund të pësojnë pengesa në karrierë. Sipas këtij studimi, njerëzit më të këndshëm mund të sakrifikojnë suksesin e tyre në procesin e kënaqësisë së të tjerëve. Ky studim sugjeron gjithashtu se njerëzit e këndshëm kanë më pak gjasa të negociojnë në mënyrë agresive pagën e tyre dhe kanë më shumë gjasa të jenë pasivë në situata konflikti.

Nga ana tjetër, njerëzit që janë të pakënaqur, janë më të fokusuar dhe konkurrues. Ata nuk lejojnë që dhembshuria e tyre për të tjerët të pengojë qëllimet e tyre.

Njerëzit me këtë lloj personaliteti janë gjithashtu të lartë në atë që njihet si “treshe e errët” e narcisizmit, psikopatisë dhe makiavelizmit, të cilat gjithashtu kohët e fundit janë lidhur me të ardhura më të larta. Individët me këto tipare e veçanërisht me narcisizëm, kërkojnë në mënyrë aktive prestigj, synojnë punë të nivelit të lartë dhe ua bëjnë të ditura arritjet e tyre atyre që i rrethojnë. Ndërkohë, njerëzit më të sjellshëm priren të jenë modestë dhe nuk shprehin mburrjen për arritjet e tyre.

Përfitimet e të qenit i mirë

Megjithëse kjo mund të ndikojë në avancimin në karrierë, të qenit njeri i sjellshëm ka përfitime në vendin e punës. Për shembull, njerëzit e sjellshëm kanë më pak gjasa të jenë viktima të ngacmimit. Ata gjithashtu priren të performojnë mirë në punët që kërkojnë ndërveprime ndërpersonale si shërbimi ndaj klientit, dhe kanë raporte të mira me kolegët në ekip.

Njerëzit e tillë i janë bashkëpunëtorët më të mirë pasi që kanë disa lloj karakteristikash që mund të kontribuojnë në kulturën pozitive organizative. Por, njerëzit e tillë empatikë janë të prirur të angazhohen në profesione që kërkojnë emocione, ata priren të jenë më elastikë se të tjerët në këto profesione. Kjo është për shkak se krijojnë marrëdhënie pozitive me kolegët dhe pacientët, gjë që ndoshta zbut sfidat që kanë këto profesione. Të qenit person i sjellshëm dhe që bie lehtë dakord mund të rrisë suksesin në karrierë kur kombinohet me disa tipare të tjera. Një studim tregoi se kjo rrit performancën e punës kur kombinohet me aftësi politike, që është aftësia për të nxitur marrëdhëniet për të arritur qëllimet.

Kjo sugjeron që të qenit i tillë mund të jetë shumë e dobishme kur përdoret në mënyrë strategjike. Hulumtime të tjera tregojnë se ky tipar është i dobishëm kur kombinohet me të qenit i ndërgjegjshëm. Por duhet vendosur vetes disa qëllime që doni t’i arrini, pra ta ktheni fokusin kah vetja.

Çfarë duhet të bëni nëse mendoni se jeni shumë i sjellshëm në të gjitha situata

Ka disa gjëra që njerëzit mund të bëjnë nëse mendojnë se sjellja e tyre tejet e mirë po e pengon suksesin e tyre në punë. Punonjësit e këndshëm mund ta përdorin natyrën e tyre të mirë në mënyrë më strategjike duke vazhduar të ndihmojnë të tjerët, por duke mos hezituar të kërkojnë favore në këmbim.

Një rekomandim tjetër është që të jeni më të organizuar dhe më të fokusuar në përmbushjen e qëllimeve. Ju mund të mbeteni një koleg i mirë aty ku është e mundur, por jo të sakrifikoni punën tuaj për të ndihmuar të tjerët. Njerëzit e tillë zakonisht janë shumë modestë, por ne këshillojmë që të mos e mohoni suksesin dhe punën tuaj dhe mos t’ua atribuoni vazhdimisht atë të tjerëve. Jini të vetëdijshëm për vlerat tuaja dhe fokusoni në qëllimet që ju çojnë në avancimin tuaj!