Një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet në farmaci është: “A lejohet të pi diçka gjatë kohës që marr antibiotikë?” Përgjigjja nuk është gjithmonë e thjeshtë, por ekspertët theksojnë se kombinimi i alkoolit me terapinë mjekësore mund të sjellë më shumë rreziqe sesa duket në pamje të parë.
Edhe pse disa antibiotikë nuk kanë ndërveprim të drejtpërdrejtë kimik me alkoolin, kjo nuk do të thotë se kombinimi është i sigurt. Në raste të caktuara, reagimet mund të jenë të shpejta dhe të pakëndshme. Një shembull i njohur është bashkëveprimi i alkoolit me Metronidazoli, i cili mund të shkaktojë skuqje të fytyrës, të përziera, të vjella, rrahje të shpejta të zemrës dhe rënie të presionit të gjakut.
Sipas ekspertëve të farmacisë, përzierja e alkoolit me ilaçet mund të jetë e rrezikshme sepse mund të rrisë efektet anësore, të ulë efektivitetin e tyre ose të shkaktojë reaksione toksike. Për shembull, qetësuesit në kombinim me alkoolin rrisin ndjeshëm përgjumjen dhe marramendjen, ndërsa në raste më të rënda mund të çojnë edhe në probleme serioze me frymëmarrjen.
Gjithashtu, kombinimi i alkoolit me Paracetamoli rrit rrezikun e dëmtimit të mëlçisë. Ilaçe të tjera si Ibuprofeni, Aspirina dhe Diklofenaku, kur kombinohen me alkool, mund të irritojnë mukozën e stomakut dhe të rrisin rrezikun e gjakderdhjes dhe ulçerave.
Edhe ilaçet për diabetin mund të reagojnë me alkoolin duke shkaktuar ulje të rrezikshme të sheqerit në gjak (hipoglicemi). Ndërsa kombinimi i sasive të mëdha të alkoolit me Metformina mund të rrisë rrezikun e një gjendjeje serioze të quajtur acidozë laktike.
Sa i përket antibiotikëve të zakonshëm si Amoksicilina, Azitromicina dhe Doksiciklina, alkooli zakonisht nuk e ul ndjeshëm efektivitetin e tyre, por mund të përkeqësojë gjendjen e përgjithshme të trupit, të ngadalësojë shërimin dhe të rrisë efektet anësore si lodhja, marramendja dhe të përzierat.
Edhe kur nuk shfaqen simptoma të menjëhershme, alkooli dobëson sistemin imunitar, prish cilësinë e gjumit dhe rrit lodhjen e dehidratimin. Kjo do të thotë se procesi i shërimit mund të zgjasë më shumë.
Ekspertët rekomandojnë që të prisni të paktën 48 deri në 72 orë pas përfundimit të trajtimit përpara se të konsumoni alkool. Në rastin e Metronidazoli, rekomandohet të prisni edhe më gjatë, mbi tre ditë.
Në përfundim, edhe pse jo çdo antibiotik ndalohet rreptësisht me alkool, rregulli i përgjithshëm mbetet i thjeshtë: kur jeni duke u trajtuar, trupi ka nevojë për qetësi dhe rikuperim, jo për stres shtesë. Edhe një sasi e vogël alkooli mund të ketë pasoja të padëshiruara në kombinimin e gabuar.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se varësia nga alkooli është një çrregullim kronik që karakterizohet nga humbja e kontrollit mbi konsumimin dhe vazhdimi i tij pavarësisht pasojave negative. Nuk është çështje vullneti, por një problem shëndetësor që kërkon trajtim dhe mbështetje profesionale.
Njohja e hershme e problemit dhe kërkimi i ndihmës nga mjekët dhe specialistët rrit ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm. Mbështetja nga familja dhe miqtë, si dhe ndjekja e rregullt e terapive të rekomanduara, janë thelbësore për rikuperim.
