Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit kandidoi me Vjosa Osmanin për postin e presidentes, duke e paraqitur atë si figurë unifikuese.
Megjithatë, qëndrimi i partisë tashmë ka ndryshuar. Ndonëse muaj më parë kishte insistuar se posti i presidentit duhet t’i takojë një figure jopartiake dhe unifikuese, LDK-ja tani po e kushtëzon mbështetjen për formimin e institucioneve me zgjedhjen e një kandidati të saj në këtë post.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka deklaruar se 18 deputetët e partisë mund të votojnë të unifikuar vetëm nëse kandidati për president propozohet nga radhët e LDK-së.
Anëtari i LDK-së dhe njëherësh kandidat për deputet nga kjo parti, Blerim Sinani, thotë se diskutimi për përgjegjësitë institucionale nuk nënkupton vënien e interesit partiak mbi atë shtetëror.
Sipas tij, marrëveshjet mes partive janë pjesë normale e demokracisë dhe synimi duhet të jetë krijimi i institucioneve të qëndrueshme e funksionale, e jo vetëm tejkalimi i ngërçit politik.
“Mendoj se pyetja është e ndërtuar mbi një supozim me të cilin nuk pajtohem. Nuk besoj se diskutimi për përgjegjësitë institucionale do të thotë se po vihet interesi partiak para atij shtetëror.

Blerim Sinani
Kur asnjë parti nuk i ka votat për të qeverisur e vetme, marrëveshjet janë pjesë normale e demokracisë. Natyrisht që në ato bisedime diskutohen edhe përgjegjësitë që do t’i marrë secila palë.
Për mua, interesi shtetëror nuk është thjesht të krijohen institucione sa për ta kaluar situatën. Interesi shtetëror është të krijohen institucione që zgjasin, që funksionojnë dhe që kanë një marrëveshje serioze pas vetes. Nëse një marrëveshje i shërben këtij qëllimi, atëherë ajo i shërben edhe shtetit”, deklaroi ai për “Bota sot”.
