Lajme

Ndalohet hyrja e rreth 150 mijë lodrave nga Kina në tregun e Kosovës

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina ku sipas tyre nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me rregulloren për sigurinë e lodrave.

Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut me qëllim të forcimit dhe parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje shtojnë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të vazhdojë aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të produkteve që vendosen në treg, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së produkteve./teve1.info/

Të Ngjashme