Lajme

Abazi: Deputetëve të VV-së iu është dhënë urdhër të mos vijnë në seancë

Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka thënë se mos prezenca e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme është urdhër nga Lëvizja Vetëvendosje çka sipas tij ka ndodhur vetëm në komunizmin sllav.

Abazi ka shtuar se çdo deputet i VV-së përballet me fjalinë ‘mos shkoni në Kuvend se po ju mani debatin opozitës’ që nëse e thyejnë i bie që nuk mund të jenë pjesë e VV-së.

“Rrjedhimisht kemi ardhë në pikëpyetje të asaj që quhet transparencë, besim ndaj qeverisë. Një qeverisje, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri, janë pjesa kryesore e të qenit qeveri demokratike. Fakti që sot vazhdojnë mos me qenë prezent këtu, duhet ta kuptoni që është dhënë një urdhër i vetëm – mos shkoni në Kuvend se po ju mani debatin opozitës. Kjo është fjalia me të cilën përballet çdo deputet i VV-së që nëse shkon, nëse paraqitesh mediave me u përballë me qytetarët dhe mediat apo edhe një debat ndërpolitik, i bie që nuk mund të jenë pjesë e VV-së. Ky është përfaqësim me shantazh. Kjo është thyerje e rregullave të demokracisë që deputeti ka të drejtë të ketë mendim të pavarur. Vetëm në komunizmin sllav nuk ka ekzistu mundësia që të jesh deputet që ke të drejtë të fjalës. Logjika e fyerje e denigrimit të parlamentit vazhdon edhe jashtë”, ka thënë Abazi në seancën e Kuvendit.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e jashtëzakonshme e  thirrur nga partitë opozitare për të diskutuar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, në të cilën nuk po marrin pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje./teve1.info/