Pas takimit të radhës ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, palët sërish nuk arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Takimi, i cili u zhvillua pak para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, përfundoi pa një dakordim konkret, ndërsa Kurti deklaroi se “nuk ka marrëveshje”. Kjo situatë ka shtuar pasigurinë politike në vend, ndërsa mbetet e paqartë nëse ekziston ende hapësirë për një kompromis mes LVV-së dhe LDK-së.
Por, a tregon dështimi i radhës për të arritur marrëveshje se negociatat mes dy subjekteve janë futur në një fazë kritike? A është mungesa e konsensusit politik pengesa kryesore për krijimin e institucioneve dhe cilat mund të jenë pasojat për Kosovën nëse ngërçi vazhdon?
Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili vlerësoi se problemi kryesor nuk është vetëm mungesa e një marrëveshjeje mes LVV-së dhe LDK-së, por edhe përçarjet e brendshme në partinë e Lumir Abdixhikut.
Sipas tij, takimi i zhvilluar mes Kurtit dhe përfaqësuesve të LDK-së ka treguar se brenda kësaj partie ekzistojnë interesa të ndryshme, ku jo të gjithë kanë shkuar në negociata me të njëjtin qëllim.

Enver Bytyçi
“Takimi i radhës midis shefit të mazhorancës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësisht kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, nënkryetarit Lutfi Haziri dhe kryetares në hije, Vjosa Osmani. Këta të tre shkuan në takim me Kurtin, secili me llogarinë e tij personale dhe jo të partisë që pretendojnë se ata përfaqësojnë. Lumiri duhet të jetë i interesuar për të biseduar dhe gjetur një lloj konsensusi sa i përket qëllimit, pra krijimit të institucioneve të shtetit. Por Vjosa dhe Luta kanë shkuar aty për të kërkuar secili në mënyrën e vet postin e kryetarit të shtetit. E kanë shoqëruar kryetarin de jure, sepse nuk kanë besim te ai”, deklaroi profesori.
Më tej, Bytyçi tha se para takimit nuk ishte bërë e qartë nëse LDK-ja kishte ndërtuar një platformë konkrete për bisedimet me Vetëvendosjen dhe për kushtet e mundshme të bashkëqeverisjes.
“Para se të ndodhte ky takim publiku nuk e dinte nëse Lidhja Demokratike ka hartuar ndonjë platformë të caktuar për bisedimet dhe konsensusin e saj në këto bisedime. Askush nga ne nuk e di se çfarë parimesh ka përcaktuar LDK si kusht për bashkëqeverisje me Kurtin. Në fund të fundit të dy këto parti njihen në publik si shumë të ndryshme në programet dhe alternativat e tyre politike. LDK është konservatore, LVV është socialdemokrate, dmth liberale. Opinioni publik duhej të dinte se cilat janë kërkesat programore të LDK-së për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen. Zero kërkesa njihen”, u shpreh ai.
Sipas profesorit, mungesa e një platforme të qartë e bën që negociatat të perceptohen si përpjekje për interesa personale dhe jo si proces për krijimin e institucioneve.
“Kjo do të thotë se në takimin e së martës tre përfaqësuesit e ish-partisë së Rugovës kanë shkuar për pazare, jo për interesat e Kosovës. Ishte e natyrshme të ndodhte kështu, sepse LDK ishte, është dhe mbetet e përçarë. Ato 172 vota për ta rizgjedhur zotin Abdixhiku kryetar të partisë janë dëshmia e përçarjes. Sepse 152 të tjera ishin kundër. Këta që janë kundër është vështirë t’i bashkohen alternativës së kryetarit të rizgjedhur. Kjo panoramë e ka dobësuar zotin Abdixhiku edhe te pjesa pro-tij. Kjo pjesë e sheh se kryetari është i dobët dhe e ka të lehtë t’i bëjë atij presion të shtuar. Presioni i përkrahësve lidhet me faktin se shumë prej tyre e kanë votuar atë për interesa të vetat. Këto interesa vetjake nuk kanë lidhje me programin e Lidhjes Demokratike, as me Kosovën, por me postet që ata do të përfitojnë në një marrëveshje të mundshme me Kurtin”, deklaroi Bytyçi.
Ai u ndal edhe te vështirësitë që mund të shfaqen në krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm mes LVV-së dhe LDK-së, duke theksuar se ndarjet brenda LDK-së e dobësojnë mundësinë për një marrëveshje afatgjatë.
“Në fund të fundit bisedimet kishin nisur para se të mbahej Kuvendi i LDK-së. Ata që e votuan Abdixhikun automatikisht e bënë këtë në mbështetje të bashkëqeverisjes me LVV. Ata që ishin kundër janë gjithashtu kundër kësaj bashkëqeverisjeje. Në këto kushte është shumë e vështirë të krijohet një koalicion i qëndrueshëm midis të dy këtyre partive. Kjo për faktin se mbështetësit e bashkëqeverisjes bëjnë llogaritë e tortës që fitojnë në këtë koalicion. Ndërsa kundërshtarët shtojnë presionin për të mos arritur një konsensus të caktuar. Abdixhiku kësisoj është në mesin e dy zjarreve, të “besnikëve” të tij për pushtet e karrige dhe të kundërshtarëve të shumtë brenda radhëve të partisë. Ai nuk ka fuqi të marrë vendime, edhe pse interesi i tij personal është të bashkëqeverisë me LVV me qëllim që të konsolidojë veten tek kjo shumicë e dobët e përkrahësve të tij. Por nuk e lënë ata që duan poste, ndër ta edhe ata që duan postin e presidentit. Dhe duket se postin e presidentit nuk e do vetëm Vjosa Osmani, por edhe Lutfi Haziri. Kësisoj LDK pa zgjidhur këtë konflikt me veten, nuk ka shans të zgjidhë ngërçin e krijimit të institucioneve”, tha profesori.
Më tej, Bytyçi tha se fakti që LDK-ja ka pranuar disa herë të ulet në tryezë me Kurtin e ka vendosur atë përballë një presioni të madh publik.
“Por fakti që ata për të disatën herë pranuan të ulen e të bisedojnë me zotin Kurti bën që LDK të vihet në vështirësi. Publiku e kupton se ndërsa LVV si fituese është e gatshme të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike, kjo e fundit nuk ka konsensus për këtë. Ndaj dhe LDK është vënë sërishmi në shënjestër të fajësisë. Qytetari do ta lexojë mungesën e gatishmërisë së LDK-së si përpjekje për të zënë pozita në pushtet dhe jo si dëshirë të saj për t’i dhënë vendit institucione të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Ai komentoi edhe ftesën e Kurtit ndaj PDK-së dhe AAK-së për bisedime, duke thënë se qëndrimet e tyre ndaj bashkëqeverisjes me LVV-në janë të njohura.
“Ndërkaq Kurti ka ftuar edhe dy partitë e tjera shqiptare parlamentare, PDK-në dhe AAK-në për bisedime. Qëndrimet e këtyre dy partive dihen. Janë në shumicë kundër bashkëqeverisjes me zotin Kurti. Nuk e di të them nëse ka ndonjë rol këtu Serbia, sigurisht nëpërmjet Richard Grennell, apo jo! Por Abdixhiku u kritikua nga batonët kësaj radhe nga pozitat e Grennellit, pse ai iu përgjigj ftesës së zotit Kurti”, deklaroi Bytyçi.
Në fund, profesori theksoi se prioriteti kryesor duhet të jetë krijimi i institucioneve të reja dhe tejkalimi i krizës politike.
“Me rëndësi është të formohen institucionet. Të enjten fillon seanca plenare. Nuk besoj se kësaj jave do të kemi votimin e qeverisë së re. Nesër mund të zgjidhet vetëm kryesia dhe kryetari i parlamentit. Kështu që e shtuna dhe e diela do të jenë në dispozicion me sa duket për të zhvilluar bisedime të reja. Duhet patjetër që kësaj radhe Kosova ta ketë presidentin dhe qeverinë e re. Nëse po, atë do ta shohim. Por e marta na kujton se kjo nuk është e lehtë. Sepse mungon konsensusi, i cili arrihet brenda minutës, nëse plotësohen dëshirat personale të politikanëve. Kjo është e turpshme”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
