ShowBizzz

Pas rastit me malarie në Kosovë, infektologu del me apel urgjent për qytetarët që udhëtojnë

Një paciente shtetase e huaj është pranuar më 1 gusht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja është transferuar në Klinikën Infektive, ku është konstatuar se së fundmi kishte udhëtuar në vende ku malaria është endemike.

Bazuar në analizat e kryera, mjekët kanë konfirmuar diagnozën e malaries.

Pas këtij rasti, infektologu Gramoz Bunjaku ka publikuar një postim në Facebook, përmes të cilit ka ndarë disa këshilla për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë në vende endemike për malarie.

Postimi i plotë:

Udhëtimi në vendet me malarie nuk fillon në aeroport, fillon te specialisti i sëmundjeve infektive.
Mos u nisni pa profilaksën e duhur. Malaria mund të shndërrohet në një urgjencë kërcënuese për jetën brenda pak orësh.
Në Kosovë, terapia e linjës së parë për malarien e rëndë (artesunate intravenoz) mund të mos jetë gjithmonë e disponueshme menjëherë. Prandaj, para kthimit nga një vend endemik, konsultohuni me specialistin e sëmundjeve infektive për planin e duhur të veprimit dhe, kur rekomandohet, siguroni terapinë e nevojshme.
Parandalimi është trajtimi më i mirë. Një konsultë para udhëtimit mund t’ju shpëtojë jetën.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2025, 83 vende dhe territore mbeteshin endemike për malarie.

Të Ngjashme