Lajme

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Ishte takim i mirë, do të vazhdojmë diskutimet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të mirë dhe të mbarë takimin e zhvilluar sonte me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.

Pas takimit, në një prononcim për media, Abdixhiku ka bërë të ditur se palët kanë diskutuar për çështje të ndryshme programore, politike dhe strategjike për Kosovën.

Ai ka theksuar se takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim zhvillimin e diskutimeve më thelbësore dhe më të detajuara.

“Ka qenë një takim i mirë, i mbarë, në të cilin trajtuam çështje të ndryshme programore, politike e strategjike për Kosovën. Do të përpiqemi që edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore dhe më të detajuara”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka përsëritur se LDK-ja mbetet brenda parimeve të bëra publike më herët, duke theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të ruante stabilitetin institucional dhe do të garantonte balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës së Kosovës.

Sipas Abdixhikut, në këtë proces LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, përndryshe, siç tha ai, kontributi i kësaj partie dhe konfiguracioni aktual politik nuk do të kenë forcën e nevojshme.

“Do të vazhdojmë takimet me po kaq vullnet të mirë. Nëse nuk bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja”, ka përfunduar Abdixhiku.

Të Ngjashme