Lajme

Abdixhiku për Ndryshim-Ligjin për Specialen: Ende pa u bërë 48 orë, u dëshmua se iniciativa nuk prodhon efektin juridik q�

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me zhvillimet pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend, duke thënë se qytetarëve u janë dhënë premtime që, sipas tij, nuk mund të realizohen në aspektin juridik.

Abdixhiku ka rikujtuar qëndrimin e LDK-së të shprehur më 5 tetor në Kuvendin e Kosovës, duke pretenduar se partia kishte paralajmëruar se një ndryshim i ligjit të zakonshëm nuk mund të zhbëjë detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.

“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar.

PO, JU KANË MASHTRUAR!
DHE PO, UA KEMI THËNË!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka kritikuar gjithashtu ata që, sipas tij, në vend se të dëgjonin argumentet e LDK-së, e sulmuan këtë parti dhe e cilësuan si kundërshtare të UÇK-së.

Abdixhiku ka publikuar edhe një pjesë të qëndrimit zyrtar të LDK-së të 5 tetorit, ku thuhej se miratimi i ndryshimeve në Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre dhe as rezultatin që po u premtohet qytetarëve.

Në qëndrimin e LDK-së, të cilin Abdixhiku e ka rikujtuar, thuhet se Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon këto detyrime.

“Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike”, thuhej në qëndrimin e LDK-së të 5 tetorit.

Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja kishte paralajmëruar për rreziqet e mundshme juridike, politike dhe ndërkombëtare të kësaj nisme, duke kërkuar që çështje të tilla të trajtohen me seriozitet juridik dhe në koordinim me aleatët e Kosovës./teve1.info/

Të Ngjashme