Një tjetër lëvizje e rëndësishme është shënuar në ekranet kosovare. Adelina Hasani ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e sezonit të ri të emisionit “SOL”, duke mbyllur kështu një kapitull që nisi më shumë se dy vite më parë.
Përmes një bashkëbisedimi me ndjekësit në Instagram, moderatorja u pyet drejtpërdrejt nëse do të vazhdonte me formatin, ndërsa përgjigjja e saj ishte e prerë.
“Jo, në sezonin e ri nuk do jem pjesë e SOL-it”, ka bërë të ditur Hasani.
Ajo e ka përshkruar “SOL” si shumë më tepër sesa një angazhim televiziv, duke theksuar punën dhe lidhjen emocionale që kishte krijuar me projektin.
“Kam kriju me shumë dashni e përkushtim dhe jam pafund krenare që brenda një kohe kaq të shkurtër arriti me hy në familjet shqiptare dhe me thy rekorde të shikueshmërisë”, është shprehur ajo.
Hasani ka treguar se vendimi për të mos vazhduar është marrë për arsye personale dhe profesionale, pa zbuluar më shumë për atë që e pret në vazhdim. Ajo ka falënderuar publikun dhe ekipin që e ka shoqëruar në këtë rrugëtim, ndërsa ka lënë të hapur kapitullin e saj të ardhshëm profesional.

Rrugëtimi i Adelinës në Klan Kosova nisi në shkurt të vitit 2024, kur “SOL” debutoi si një prej projekteve më ambicioze të fundjavës në televizion. Formati nisi me mbi gjashtë orë transmetim dhe shtatë rubrika të ndryshme, ndërsa Hasani ishte jo vetëm prezantuesja, por edhe autorja e tij.
Për Adelinën, ardhja në Klan Kosova ishte një tjetër etapë pas një periudhe të suksesshme në ATV. Por largimi nga “SOL” nuk ishte e vetmja temë për të cilën ndjekësit kërkuan përgjigje.
Pas konfirmimit të Jonida Vokshit se nuk do të jetë pjesë e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”, emri i Adelinës duket se është përmendur nga një pjesë e publikut si një prej mundësive për moderimin e spektaklit. Vokshi u largua pas katër edicionesh radhazi në krah të Alaudin Hamitit.
E pyetur nëse do të pranonte drejtimin e BBVK, Adelina i ka prerë shkurt spekulimet.
“Shumë pyetje m’paskan ardhë për BBVK, po me këtë po e mbylli, se besoj që pak a shumë e merrni përgjigjen të gjithë”, ka shkruar ajo. Hasani më pas ka drejtuar publikun te Alaudin Hamiti dhe Olsa Muhameti për çdo informacion lidhur me formatin, duke shtuar qartë: “Unë nuk jam e përfshirë në projekt”.
Ajo që mbetet e panjohur është projekti që vjen pas “SOL”. Pas një periudhe ku ka qenë vazhdimisht ndër figurat e dallueshme të ekranit kosovar, largimi pa zbuluar destinacionin e radhës vetëm sa e bën më interesante lëvizjen e ardhshme profesionale të saj.Prive By Liberta Spahiu

