Shëndetësi

Adoleshentët që hanë mëngjes ushqehen më shëndetshëm gjatë gjithë ditës. Ja pse

Adoleshentët që hanë mëngjes kanë një regjim ushqimor më të shëndetshëm gjatë gjithë ditës krahasuar me ata që e anashkalojnë këtë vakt, sipas një studimi të ri.

Shkencëtarët zbuluan se ata që hanë mëngjes marrin më shumë lëndë ushqyese të rëndësishme, si fibra, hekur, zink dhe kolinë, ndërsa konsumojnë më pak yndyrë, sheqer, ëmbëlsira dhe karamele. Përfitimet më të mëdha u vunë re te adoleshentët që zgjodhën një mëngjes të pasur me proteina.

ImageAutorja kryesore e studimit, Emma Rose Brown, tha se shtimi i mëngjesit në rutinën e përditshme, veçanërisht një mëngjesi të pasur me proteina, mund të jetë një mënyrë efektive për të përmirësuar cilësinë e ushqyerjes te adoleshentët më të rritur. Ajo theksoi se, megjithëse mëngjesi konsiderohet shpesh vakti më i rëndësishëm i ditës, provat shkencore kanë qenë të kufizuara.

Studimi përfshiu 128 të rinj të moshës 14 deri në 21 vjeç, të cilët e anashkalonin mëngjesin të paktën gjashtë ditë në javë. Ata u ndanë në tre grupe: një grup vazhdoi të mos hante mëngjes, një grup konsumoi një mëngjes me rreth 15 gramë proteina, ndërsa grupi i tretë një mëngjes me rreth 30 gramë proteina.

ImageStudiuesit përgatitën dhe shpërndanë mbi 18.000 vakte mëngjesi, që përfshinin ushqime të zakonshme për adoleshentët, si vezë të fërguara, burrito, kesadija dhe smuthi. Pjesëmarrësit i konsumuan vaktet në shtëpi dhe respektuan programin në më shumë se 90% të rasteve.

Megjithëse të tre grupet konsumuan afërsisht të njëjtën sasi kalorish gjatë ditës, ata që hanin mëngjes morën më shumë fibra, hekur, zink dhe kolinë. Adoleshentët që konsumuan mëngjes të pasur me proteina morën edhe më shumë proteina, hekur dhe kolinë, ndërsa konsumuan më pak sheqer të shtuar.

ImageTashmë studiuesit synojnë të shqyrtojnë se si proteinat në mëngjes ndikojnë te dëshirat për ushqim dhe zakonet e të ngrënit, me synimin për të zhvilluar strategji praktike që ndihmojnë në menaxhimin afatgjatë të peshës trupore.

Gjetjet u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqyerjen në National Harbor, Maryland.

Image

Të Ngjashme