Analisti politik, Xhavit Drenori ka thënë se dorëheqja e Bedri Hamzës nga posti i kryetarit të PDK-së është proces normal politik, por që ka edhe të panjohura.
Sipas Drenorit, ky vendim i Hamzës në një moment kur u shmangën zgjedhjet e parakohshme lë shumë pikëpyetje.
Sa i përket pasuesit të Hamzës në krye të PDK-së ai ka thënë se është enigmë momentalisht, por sipas tij më e rëndësishmja për këtë parti është hapja e një debati për orientimin e partisë.
Drenori ka thënë se PDK-së i duhet një kryetar që merr vendime dhe jo një siç ka thënë ai një kujdestar.
“PDK duhet t’i nënshtrohet një debati të brendshëm se në çfarë drejtimi duhet të ecë të shpërndahet në struktura. Në qoftë se menjëherë ju ofrohen dy emra ose tre emra për kryetar strukturave, atëherë mendoj që debati “vritet” herët. PDK duhet të krijojë kushte për një lidership që realisht e drejton subjektin, jo kujdestar. Nuk i duhet më një kryetar kujdestar. PDK-së i duhet një lider që e ka fuqinë e tij ekzekutive për t’i dhënë drejtim subjektit dhe jo të ndikohet nga grupe të ndryshme”, ka thënë Drenori në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Ai nuk e ka përjashtuar si mundësi që Fatmir Limaj dikur një nga figurat më të fuqishme në PDK të rikthehet në këtë parti dhe ta drejtojë.
Hamza të mërkurën njoftoi dorëheqjen nga kryetari i PDK-së. Drejtimin e partisë më të madhe opozitare si ushtruese e detyres së kryetares do ta bëjë Vlora Çitaku.
