Kuriozitete

Afeksioni – Puthja, simboli i dashurisë që nuk zbehet kurrë

Puthja, një gjest dashurie aq i thjeshtë, por me fuqi të jashtëzakonshme, e ndjerë dhe universale. Një akt që lë gjurmë pavarësisht kulturës, gjuhës dhe kohës.

E konsideruar si një nga simbolikat më të vjetra të afeksionit, ajo nuk është thjesht romantike. Është dhe miqësi, respekt e lidhje emocionale. Për këtë arsye, në kalendarin kulturor të shumë vendeve i është kushtuar një ditë e veçantë, për të kujtuar rëndësinë e saj që shpesh edhe nënvlerësohet, por arrin të të “shkrijë zemrën” kur puthja ndodh.

Një ndër ditët më të njohura si “Dita Botërore e Puthjes” është 6 korriku, e lindur në Angli në fund të viteve ’90 dhe më pas e adoptuar nga shumë vende të globit.

Megjithatë, në disa vende kjo ditë kujtohet edhe më 13 prill. Asnjëra prej këtyre datave nuk njihet zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara, por kjo nuk e zbeh rëndësinë e saj.

Rrënjët e puthjes janë shumë të lashta.

Referencat më të hershme të dokumentuara gjenden në tekstet e sanskritishtes vedike në Indi, që datojnë rreth 3 mijë e 500 vite më parë.

Më vonë, ishin romakët ata që jo vetëm e përhapën këtë zakon, por edhe e klasifikuan atë sipas kuptimit. “Osculum” ishte puthja në faqe mes miqsh, “basium” puthja në buzë si shenjë dashurie, ndërsa “savium” përfaqësonte puthjen pasionante.

Me rastin e kësaj dite, ne vendosëm që të kujtojmë dhe “puthjet më ikonike në histori”.

Nuk mund të lëmë pa përmendur pikturën më të famshme, “The Kiss”, nga Gustav Klimt. E pikturuar midis viteve 1907-1908, përfaqëson kulmin e “Periudhës së tij të Artë”. Kjo fazë ishte e karakterizuar nga përdorimi i tepërt i fletëve të arit, argjendit dhe platinës.

“Il bacio”, nga Francesco Hayez, nuk mund të mungonte. Kryevepra e pikturuar në vitin 1859, interpretohet si një puthje lamtumire. Edhe pse duket si një skenë e thjeshtë, por pasionante, në të vërtetë ajo pikturë përmban edhe elemente të klimës politike asokohe.

Nëse do ndaleshim tek kinematografia, skena e parë e puthjes është shfaqur në filmin e shkurtër “The May Irwin Kiss”, në 1896. Një film i prodhuar nga Thomas Edison dhe drejtuar nga William Heise, zgjat vetëm disa sekonda. Në atë kohë filmi u pa me një sy kritik, madje u konsiderua skandaloz për shkak se shfaqja e emocionit si dashuria ishte një tabu. Por, në vitin 1999, “The May Irwin Kiss” u konsiderua e rëndësishme nga Biblioteka e Kongresit të SHBA-ve dhe u ruajt në Regjistrin Kombëtar të Filmit.

Ka edhe një rekord për puthjen më të gjatë, 58 orë!

Ajo se çfarë duam të përcjellim me të gjitha këto, është se puthja mbetet një “gjuhë e cila nuk ka nevojë për përkthim”. Një veprim kaq i vogël, por me peshë të madhe, arrin të krijojë lidhje njerëzore e të komunikojë çdo shenjë pa pasur nevojën e fjalëve.

Po ju, e keni dhënë puthjen tuaj sot?

Të Ngjashme