Lajme

Hafir Hoxha sulmon Marta Kosin pas këngës serbe në Bruksel, rikthen akuzat për UDB-në

Ish-ushtaraku Hafir Hoxha ka reaguar pas interpretimit të melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, duke drejtuar kritika të ashpra ndaj komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Përmes një shkrimi, Hoxha ka pretenduar se ky rast dëshmon se Kos vazhdon të jetë e lidhur me trashëgiminë e UDB-së, shërbimit sekret të ish-Jugosllavisë.

“Unë po them se tani në Bruksel u dëshmua se kjo Marta është ende UDB-ashe”, ka shkruar ai.

Për të mbështetur pretendimin e tij, Hoxha i është referuar një analize të gazetareve Asja Hafner dhe Una Çiliq, të publikuar në qershor të këtij viti, e cila trajton akuzat për bashkëpunimin e mundshëm të Marta Kosit me shërbimin sekret jugosllav.

Sipas kësaj analize, akuzat se Kos kishte qenë bashkëpunëtore e UDB-së në kohën kur punonte si gazetare në Slloveni, atëherë pjesë e Jugosllavisë, u shfaqën pas promovimit të librit “Komisarja” të autorit slloven Igor Omerza, në ambientet e Parlamentit Evropian në vitin 2024. Analiza thekson se Kos u përball me këto pyetje gjatë seancës dëgjimore në Parlamentin Evropian, por shmangu përgjigjet e drejtpërdrejta.

Megjithatë, vetë analiza i cilëson këto akuza si të paprovuara dhe thekson se lidhja e një personi me shërbimet e sigurisë të ish-Jugosllavisë, më shumë se tri dekada pas shpërbërjes së saj, është shumë e vështirë të vërtetohet.

Interpretimi i melodisë së këngës “Oj Kosovo, Kosovo”, teksti i së cilës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në Bruksel. Komisioni Evropian ka deklaruar se kënga ishte përzgjedhur nga vetë muzikantët dhe se nuk kishte marrë miratimin e institucionit, ndërsa Kos ka shprehur keqardhje për rastin.

Të Ngjashme